Gjykata vendos për gjashtë të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares

Gjashtë të dyshuarve për dhunim, trafikim dhe shërbime seksuale ndaj 11-vjeçares u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Gjashtë të dyshuarit janë arrestuar dje, më shumë se dy muaj prej kur dyshohet se ka ndodhur dhunimi dhe trafikimi të 11-vjeçares.

Dosja e prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon se brenda një dite, pra më 21 qershor të këtij viti, viktima 11-vjeçare dyshohet se ishte dhunuar, trafikuar dhe ishte shfrytëzuar për shërbime seksuale nga gjashtë të dyshuarit.

Veprat penale dyshohet se janë kryer në disa motele.

Sipas dosjes së prokurorisë, deri te identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarve erdhi pas ekzaminimit të telefonit të së miturës.

Kujtojmë se në dy raste të ndryshme janë arrestuar 11 persona nën dyshimet për dhunim, trafikim dhe shërbime seksuale.

Pesë nga të dyshuarit janë arrestuar pasi sipas policisë të njëjtit dyshohen se kishin dhunuar të miturën më 27 gusht. Dhunimi pretendohet se ka ndodhur brenda një intervali kohor prej 7 orësh në lokacione të ndryshme.

Në rastin e dytë janë arrestuar gjashtë persona të cilët dyshohen se kanë dhunuar e trafikuar të miturën në qershor të këtij viti.

Dosja: Tmerret që i kaloi 11-vjeçarja në qershor, gjashtë dhunime e marrëdhënie seksuale për një ditë