Foto-ilustrim
Gjykata vendos për avokatin e dyshuar se mori 8 mijë euro nga pala për t’ia dhënë gjyqtarëve
Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës që avokatit H.J., t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji.
I njëjti dyshohet se i kishte kërkuar 8 mijë euro një pale në Gjykatën e Gjilanit që pastaj ato para t’i jepen gjyqtarëve në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës së mbrojtur nga i dyshuari.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Prokuroria në Prishtinë gjatë ditës kishte kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për avokatin H.J., i cili po dyshohet për ushtrim ndikimi.
I njëjti ishte sjellur i prangosur në seancën dëgjimore ku edhe ishte shqyrtuar propozimi për caktimin e masës së sigurisë.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës pas zhvillimit të hetimeve preliminare dje kanë arrestuar avokatin H.J., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale – ushtrim i ndikimit.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8 mijë euro nga një palë në procedurë në Gjykatën e Gjilanit me premtimin që këto para do t’ia japë kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës se mbrojtur nga i dyshuari.