Gjykata vendos në paraburgim të dyshuarin për masakrën në Izbicë

Gjykata e Prishtinës ka njoftuar se i ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit për pjesëmarrje në masakrën e Izbicës, gjatë luftës në Kosovë.

I dyshuari M. A., u arrestua javën e kaluar nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile në masakrën e Izbicës.

I dyshuari është i nacionalitetit shqiptar dhe shtetas i Republikës së Serbisë.

Masakra e Izbicës ishte një nga masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë. Ajo ishte kryer në vitin 1999.

Sipas Prokurorisë i pandehuri M.A., dyshohet se në mars të vitit 1999 së bashku me një grup të përbërë prej mbi 50 veta të forcave ushtarake dhe policore serbe, kanë hyrë në fshatin Izbicë, ku pasi fillimisht e kanë bombarduar fshatin duke shkatërruar shtëpitë dhe pasurinë e civilëve, më pas i kanë detyruar civilët që të dalin nga shtëpitë dhe të njëjtit i kanë grumbulluar në një vend, dhe pastaj me forcë i kanë detyruar të largohen duke i dërguar në drejtim të Klinës.

Sipas Prokurorisë më pastaj i dyshuari së bashku me grupin, i kishin grumbulluar mbi 140 burra në një vend të quajtur ‘’Kodra e Zallit’’, ku të njëjtit më pas edhe i kishin vrarë.

Në nëntor të vitit 2020, emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ shfaqi hulumtimin për krimet e luftës.

Në këtë emision folën dëshmitarë okular që kishin parë me sy vrasjet në disa nga masakrat e Kosovës

Milazim Thaçi kishte qenë një nga të mbijetuarit e masakrës së Izbicës dhe kishte folur në këtë emision se si kishte mbijetuar.

Ai kishte deklaruar se kishte parë me sy krimin në të cilin ishin vrarë 147 bashkëfshatarët e tij, mirëpo për to nuk ishte marrë në pyetje asnjëherë nga Prokuroria ose Policia.

Emisionin e plotë për masakrat në Kosovë mund ta ndiqni në këtë link.