Gjykata vendos ndaj të dyshuarit për aksidentin me fatalitet më 28 shkurt në Ferizaj

Gjykata e Ferizajt e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj B.D., i dyshuar për rrezikimin e trafikut publik me fatalitet në Ferizaj më 28.02.2025, nga i cili aksident vdiq një grua.

Këtë vendim gjykata e ka marrë të dielën më 02.03.2025.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, Gjykata e Ferizajt ka njoftuar se gjyqtari i procedurës paraprake Adem Shabani, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më 28.02.2025, rreth orës 12:42, në rrugën nacionale Ferizaj – Kaçanik, afër një fshati në Ferizaj, duke drejtuar automjetin e markës “VW Golf”, i dyshuari nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Më tej siç thekson Gjykata, në momentin kur automjeti i markës “BMW”, të cilën e drejtonte  V.V., tentonte të kyçet në rrugën kryesor tek dalja e lagjes “P”, mirëpo  me të parë të pandehurin me veturën “Golf”, ndalet, atëherë i pandehuri posa shef veturën “BMW” frenon, ikë në të djathtë del jashtë rrugës dhe në pjesën e përparme të anës së majtë e godet automjetin “BMW”, në mes të dy dyerve në anën e majtë, i cili lëviz mbrapa dhe me pjesën e pasme të anës së djathtë e godet shenjën e trafikut.

Me këtë rast, siç theksohet në vendim, si pasojë e këtij aksidenti pasagjerja e veturës “BMW”, V.M., ka vdekur në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Ndërsa vozitësi dhe pasagjeri tjetër i kësaj veture G.K.M., si dhe i pandehuri dhe pasagjeri i tij O.D., kanë pësuar lëndime trupore.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”- thuhet në njoftim.

Gjykata më tej bën të ditur se në këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

KALLXO.com raportoi për aksidentin.