
Zvecan, protestuesit sulmojne gazetarin 31.05.2023
Gjykata vendos ndaj të akuzuarit për huliganizëm dhe sulm ndaj gazetarit Burim Zariqi në Zveçan, më 2023
Dalibor Spasiq është dënuar nga Gjykata e Mitrovicës për “pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale” dhe “huliganizëm”, si dhe për veprën penale “sulm ndaj gazetarit të Radiotelevizionit 21, Burim Zariqi”, gjatë protestave të dhunshme të pjesëtarëve të komunitetit serb, më 31.05.2023, në Zveçan.
I akuzuari Dalibor Spasiq është dënuar me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 6 muajsh – sipas Gjykatës – pasi ka kryer veprën penale “pjesërmarrje në turmë që kryen veprën penale” dhe “huliganizëm”, i cili dënim me pëlqimin e të pandehurit zëvendësohet në dënim me gjobë, në lartësi prej 8 mijë eurosh.
Ndërsa, për veprën penale “sulm” Gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë, në lartësi prej 2 mijë eurosh.
Gjykata i ka përcaktuar të akuzuarit dënim unik, në lartësi prej 10 mijë eurosh. Shpallja e Aktgjykimit është bërë më 13.02.2025.
Dalibor Spasiq akuzohet se kishte marrë pjesë në turmë që ka kryer vepra penale dhe huliganizëm, më 29.05.2023, si dhe prapë më 31.05.2023, para Komunës së Zveçanit, ku përveç të dëmtuarit i cili ka qenë në orarin e tij të punës duke raportuar mbi protestat e dhunshme në Komunën e Zveçanit është cenuar në mënyrë flagrante liria e medias dhe lira e shprehjes – vlera këto të mbrojtura me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kështu duke krijuar një ambient armiqësor dhe të pasigurt për të gjithë gazetarët.
I akuzuari në seancën dëgjimore të mbajtur më 12.10.2023 kishte pranuar fajësinë.
Sipas Prokurorisë, Spasiq ka penguar dhe kundërshtuar aktivitetet e ligjshme të institucioneve të Kosovës, në këtë rast ka tentuar të pengojë gazetarët e Republikës së Kosovës, duke penguar ushtrimin e funksionit të gazetarëve, me qëllim të pengimit të informimit të opinionit publik sa i përket ngjarjeve të cilat në atë kohë kanë ndodhur në veriun e Republikës së Kosovës.
Mbrojtësi i të pandehurit, Srdjan Mitrovic kishte thënë në seancën dëgjimore se Dalibor Spasiq, e ka bërë sulmin ndaj gazetarëve pasi që ka qenë i përfshirë nga turma në ato momente.
“Sulmi i tij ndaj gazetarit ka qenë për shkak se ka qenë i përfshirë nga turma në ato momente, sepse është person i ri dhe jam i sigurt që nuk do të përsëritet më kurrë. Te sulmi i gazetarit theksuam se ka qenë i prirë nga masa e madhe që ka qenë. Nuk ka qenë qëllimi i tij që t’i shkaktojë dikujt lëndime, apo diçka të keqe. Po qe se shikohet incizimi mund të shihet vetëm një shtyrje.” – ka thënë avokati Srdjan Mitrovic.
Ndërsa, i pandehuri Dalibor Spasiq kishte deklaruar se pranon fajësinë e pendohet thellë dhe kërkon falje duke shtuar se nuk do t’i përsërisë këto vepra penale.
Gazetari i Radiotelevizionit 21, Burim Zariqi, më 31.05.2023 ishte sulmuar fizikisht nga persona të panjohur gjatë përcjellës së protestës në Zveçan.
Gazetarit Zariqi i është thënë fillimisht të mos xhirojë, e më pas protestuesit i kanë shkuar nga mbrapa duke e sulmuar në bark.
Përveç disa gazetarëve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan. Disa prej tyre rëndë, pasi u sulmuan në Zveçan, në maj të 2023-tës, gjatë protestës së dhunshme të qytetarëve serbë, të cilët nuk pranonin që Kryetarët shqiptarë të Komunave të vendoseshin në objektet komunale.
KFOR-i ka kërkuar që sulmuesit e tyre të mbahen përgjegjës, derisa ka vlerësuar se sulmet ishin të paprovokuara dhe se ishin krejtësisht të papranueshme.
Ndërkaq, Policia e Kosovës kishte arrestuar disa të dyshuar për sulmin ndaj tyre dhe ndaj KFOR-it.
Tensionet në veri të vendit në maj të 2023-tës pasuan me sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2024, nga grupi i armatosur serb në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
Gjatë sulmit mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Për këtë sulm, më 11.09.2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur Aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për: “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.