Gjykata urdhëron sjelljen me forcë në seancë të këshilltarit të Presidentit

Gjykata e Prishtinës ka urdhëruar sjelljen  me forcë të ish-Kryetarit të Lipjanit dhe këshilltarin e Presidentit, Shukri Buja në seancën për rastin e njohur si “Feronikeli”.

Buja akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi. Ai në vitin 2020 në deklarimin e pasurisë ka treguar se në vitin 2019 ishte emëruar këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi.

Gjykatësi Beqir Kalludra njoftoi palët e pranishëm në seancë, se ndaj Bujës, Gjykata ka lëshuar urdhërese për sjellje me detyrim, por nga  stacioni policor më pas kishin pranuar informatë se urdhëresa nuk ka mund të realizohet nga se i njëjti është në gjendje jo të mirë shëndetësorë.

Më pas mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Buja, avokati Arianit Koci, tha se ka kontaktuar me klientin e tij dhe mjeku i cili e kishte kontrolluar, i kishte rekomanduar menjëherë të bëjë testin për COVID- 19, dhe sipas mbrojtësit të tij simptomat kanë mundur të ju paraqiten mbrëmë ose sot.

Gjykatësi Kalludra kërkoi nga mbrojtësi i Shukri Bujës që deri më nesër, Gjykatës të ja dorëzojë një provë materiale për pretendimet e tij, ndryshe i njëjti theksoi se do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim nga Policia e Kosovës.

Ndërsa i akuzuari tjetër në këtë rast, Nehbi Zeqiri, është sjellur në sallë i shoqëruar nga Policia, ndërsa është ankuar se për shkak të gjendjes së tij shëndetësorë nuk mund ta përcjellë gjykimin.

Kryetari i trupit gjykues, i kërkoi të pandehurit Zeqiri, që gjykatës t’i sjell një provë- mjekësore, më anë të së cilës do të vërtetonte nëse nuk mund ta përcjellë gjykimin.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 11 shtator.

Ky rast është është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.

Sipas aktgjykimit të nëntor të vitit 2018 të Gjykatës së Prishtinës i akuzuari, Nebih Zeqiri, ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi ishte gjetur fajtor dhe ishte dënuar me 3 muaj burgim.

I akuzuari Fahri Ratkoceri ishte liruar nga akuza ndërsa Fahri Vishesella ishte dënuar me 5 muaj burg, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra ishin liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejen urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.

Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit, me çka dhe u akuzua nga prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.

Por, disa të akuzuar kanë përfituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave

Situata me COVID-19, shtyhet gjykimi ndaj Shukri Bujës