Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Gjykata urdhëron publikimin e provave që autorizuan kontrollin në pronën e Trumpit 

Departamenti Amerikan i Drejtësisë do të publikojë të premten një version të reduktuar të dokumentit që shpjegon arsyen e kontrollit që FBI-ja kreu në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida në fillim të këtij muaji, ku agjentët konfiskuan të dhëna dhe dokumente të tjera të klasifikuara. 

Publikimi i këtij versioni të dokumentit, që përfshin provat e mbledhura nga prokurorët, mund të çojë në zbulimin e detajeve të reja mbi hetimet që po kryen mbi ish-kreun e shtetit amerikan që mund të komprometojnë ambiciet e tij për të ri-kandiduar në zgjedhjet presidenciale. 

Departamenti i Drejtësisë e kishte kundërshtuar publikimin e versionit origjinal për shkak se procesi hetimor, që ka në fokus keqpërdorimin e dokumenteve sekrete nga Trump, është ende në zhvillim e sipër. 

Sipas mandatit të kontrollit, agjentët e FBI-së donin të verifikonin nëse ish-presidenti kishte kryer një krim duke përvetësuar dokumente qeveritare, duke i lëvizur ato nga Shtëpia e Bardhë në kompleksin e tij Mar a Lago, sapo i kishte përfunduar mandati. 

Presidentëve amerikanë u kërkohet t’i transferojnë dokumentet dhe email-et në Arkivën Kombëtare kur lënë detyrën. 

Vetë Trump mohon çdo keqpërdorim të dokumenteve dhe insiston se dosjet e klasifikuara që sipas hetuesve u gjetën në Florida, ishin deklasifikuar prej tij. 

Sidoqoftë, gjyqtari Bruce Reinhart urdhëroi që dokumenti të publikohet në versionin e tij të redaktuar. Ai tha se prokurorët kishin treguar “arsye bindëse” për të censuruar pjesë të dokumentit, që mund të çojë në zbulimin e identiteteve të dëshmitarëve, oficerëve të agjencive ligjzbatuese, por edhe strategjinë hetimore, drejtimin, qëllimin dhe metodat e saj./REL