Gjykata tregon se kur hyn në fuqi vendimi për pezullimin e rritjes së çmimit të energjisë

Çështja e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve në muaj po vazhdon të jetë temë diskutimi që nga fundi i vitit 2021 kur ishte paralajmëruar shtrenjtimi i energjisë.

Tema u aktualizua edhe më shumë pas vendimit të Gjykatës së Prishtinës e cila vendosi ta pezullojë përkohësisht rritjen e çmimit pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës.

Pas rritjes së tarifave të energjisë kjo parti kishte ushtruar padi kundër vendimit të ZRRE-së, dhe i kishte kërkuar Gjykatës që deri në nxjerrjen e vendimit final, rritja e tarifave të energjisë të mos zbatohej.

PDK në kërkesën të cilën e kishte paraqitur në gjykatë kishte konsideruar se vendimi i ZRRE-së do të shkaktonte pasoja të pariparueshme për qytetarët në Kosovë.

Ndërsa propozimi i kësaj partie ishte kundërshtuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë me pretendimet se këtij institucioni do t`i shkaktohej një dëm i pariparueshëm në rast se pezullohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë.

E lidhur më këtë kërkesë në prill të këtij viti vendosi Gjykata Themelore në Prishtinë përmes gjyqtarit Kreshnik Kaçiu.

Vendimi të cilin e ka siguruar KALLXO.com e ka pezulluar përkohësisht rritjen e tarifave të energjisë elektrike për qytetarët pasi e ka konsideruar si të bazuar kërkesën e PDK-së.

Gjykata vlerësoj se ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së do t`i shkaktonte dëm të pariparueshëm qytetarëve dhe se vendimi për pezullim është në interesin publik.

Pas këtij vendimi ka reaguar menjëherë Zyra e Rregullatorit të Energjisë e cila ka paralajmëruar ankesë.

Sipas Gjykatës së Prishtinës, ankesa e këtij institucioni do ta shtynte vendimin e Gjykatës së Prishtinës deri në vendimin përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

“Sidoqoftë, nga praktika gjyqësore deri më tani, nuk kemi hasur në ndonjë rast kur Aktvendimi për shtyrjen e ekzekutimit të ndonjë vendimi, është bërë menjëherë i ekzekutueshëm, pa kaluar afati ligjor për ankesë, apo pa u vërtetuar i njëjti nga ana e Gjykatës së Apelit”.

Rrjedhimisht në rast të ankesës, ZRRE mund të vazhdojë me tarifat e rritura për energjinë elektrike deri në vendimin e Gjykatës së Apelit në rast së paraqitet ankesa ndaj vendimit të Gjykatës së Prishtinës e cila e ka pezulluar rritjen e çmimeve.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

PDK paralajmëron padi ndaj bordit të ZRRE-së, nëse nuk zbatohet vendimi për pezullimin e rritjes së çmimit të rrymës