Gjykata tregon se kur do të nisë procesi gjyqësor ndaj Liburn Aliut
Në një përgjigje për KALLXO.com, Gjykata e Prishtinës ka njoftuar se tashmë është caktuar data e mbajtjes së shqyrtimit fillestar në rastin ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi e ka konfirmuar për KALLXO.com se gjyqtari i rastit, Alban Ajvazi, 6 prillin e ka caktuar si datë të mbajtjes së shqyrtimit fillestar ndaj ministrit Aliu.
KALLXO.com ka marrë vesh se në një rast me Aliun, të akuzuar janë edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha Prestreshi si dhe Zejnulla Rexhepi.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Sipas informacioneve aktakuza ka të bëjë për moszbatimin e një plani zhvillimor për ndërtim në Komunën e Prishtinës.