Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Gjykata Supreme vendos në lidhje me ankesat e mbrojtësve të vëllezërve që sulmuan imamin e Lupçit

Pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë nga mbrojtësit e të pandehurve B.M., A.M., si dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare për të pandehurin Sh.M., Gjykata Supreme çështjen ndaj të pandehurve e ka kthyer në shkallë të parë për rivendosje.

Të pandehurit, sipas Prokurorisë, dyshohet se më 21 korrik të këtij viti kanë sulmuar imamin e xhamisë në fshatin Lupç të Podujevës, Zeqir Berishën

Të njëjtit janë në paraburgim që nga data 12.08.2022 dhe Gjykata paraburgimin ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë, deri më 22.10.2022.

Të pakënaqur më këtë vendim mbrojtësit e palëve kishin ankimuar vendimin e shkallës së parë.

Gjykata e Apelit kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësve të të pandehurve duke e vërtetuar aktvendimin e gjykatës se shkallës se parë. Kundër këtij aktvendimi mbrojtësit të pakënaqur kishin paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme.

Gjykata Supreme kishte vendosur në favor të mbrojtësve të të pandehurve dhe kishte konstatuar që ishin të bazuara kërkesat e mbrojtësve kundër vendimit të Gjykatës së shkallës së dytë.

“Vlerëson si të bazuar pretendimet e mbrojtësve të të pandehurve, për faktin se si kusht elementar që duhet përmbushur për vazhdimin e paraburgimit është dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer vepër penale e cila u vihet në barrë, e për të cilin nuk janë dhënë arsye nga prokurori i çështjes” – thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Kujtomë që tre persona po dyshohen se më 21 korrik të këtij viti kanë sulmuar imamin e xhamisë në fshatin Lupç të Podujevës, Zeqir Berishën.

Për ta, në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se ekziston rreziku se të pandehurit do t’i qasen arratisë për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.

Kjo, sipas kësaj dosje, mund të ndodhë pasur parasysh faktin se për këto vepra penale parashihet dënim i lartë me burgim.

“Ekziston rreziku se të pandehurit do t’i qasen arratisë për t’i shmangur përgjegjësisë penale , duke pasur parasysh faktin se për këto vepra penale parashihet dënim i lartë me burgim dhe kështu do ta pengonin mbarëvajtjen e procedurës penale”, thuhet në dosje.

Tre të pandehurit, B.M, 27-vjeçar, A.M., 29-vjeçar dhe Sh.M., 26-vjeçar më datën e lartcekur dyshohet se e kanë sulmuar me mjete të forta imamin e xhamisë në fshatin e tyre duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Si pasojë e këtyre lëndimeve, sipas dosjes së Prokurorisë, imami është në rrezik për jetë. Ai thuhet se ka pësuar tri fraktura në kokë dhe një në dorën e djathtë.

Dosja, po ashtu tregon se tre të pandehurit, që gjenden në ndalim që nga orët e para të 22 korrikut, kanë pasur edhe më herët mosmarrëveshje me të dëmtuarin.

Madje, sipas dosjes, kjo tregon rrezikun se të pandehurit mund të përsërisin veprat penale të njëjta apo të ngjashme, apo edhe të përfundojnë veprën e tentuar penale.

Imami për lëndimet e rënda trupore, tri fraktura në kokë dhe një në dorë që ka pësuar, iu është dashur të kryer edhe një operim.

Ai ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe gjendet edhe në rrezik për jetë.

Tre të pandehurit, sipas Prokurorisë dyshohet se në bashkëkryerje dhe me dashje kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin. Ata thuhet se e kanë goditur me mjete të forta të dëmtuarin, pra imamin e Xhamisë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët lidhur me rastin ku është treguar se si u sulmua imami i Xhamisë së Lupçit.