Gjykata Supreme refuzon ankesën e kandidatit për asamble të partisë së Driton Ajazit

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për asamble të partisë ‘Demokratët për Drenasin’ të Driton Ajazit.

Kandidati me inicialet A.C., kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme, pasi që ankesa e tij ishte refuzuar gjithashtu nga PZAP-ja, për rinumërim të votave në tre qendra të votimit në Drenas, në fshatin Kizhnarekë, Llapushnik dhe Komoran.

“Ankesa e A. C., kandidatit për anëtarë të Kuvendit Komunal në Komunën e Drenasit, nga subjekti politik Demokratët për Drenas, departamenti në Drenas, parashtruar kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të datës 6 nëntor është e pabazuar”, thuhet në Aktgjykim.

Sipas Supremes, pretendimet e kandidatit janë vlerësuar si të pabazuara pasi janë në kundërshtim me gjendjen faktike që e ka konstatuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), si dhe kandidati me asnjë dëshmi nuk i ka mbështetur pretendimet e tij.

Aktgjykimin e plotë mund ta gjeni KËTU.

Komuna e Drenasit ka shkuar në balotazh në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Në raundin e parë të 17 tetorit, Ramiz Lladrovci i PDK-së mori 45.62% të votave, ndërsa Driton Ajazi i partisë ‘Demokratët për Drenasin’ ka fituar 30.74% të votave.