default

Gjykata Supreme: Prindërit e Kamenicës do të duhej të gjobiteshin për mos dërgimin e fëmijëve në shkollë

Gjykata Supreme ka konstatuar se 23 prindërit nga Kamenica që nuk e respektuan vendimin e Komunës së Kamenicës për ‘reformën’ në arsim kanë kryer kundërvajtje.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë më datë 11 shkurt 2020 kishte iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj 23 prindërve nga fshatrat e Kamenicës që nuk iu bindën vendimit të kryetarit Qëndron Kastrati për t`i dërguar fëmijët në shkollat e përcaktuara nga komuna.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata e Gjilanit me datë 26 shkurt 2021 kishte marrë aktvendim për pezullim të procedurës kundërvajtëse që ishte iniciuar ndaj prindërve.

Arsyetimi i Gjykatës së Gjilanit ishte se veprimet që përshkruhen në kërkesën e DKA-së në Kamenicë nuk janë të përcaktuara si kundërvajtje dhe për të njëjtat veprime nuk është paraparë ndonjë sanksion kundërvajtës.

Një vendim të tillë e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit me datë 7 prill 2021. Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit konstatoi se gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejtë kur e kishte pezulluar kundërvajtjen ndaj prindërve nga Kamenica.

Edhe Gjykata e Apelit e kishte ndarë mendimin e njëjtë se në veprimin e përshkruar në kërkesën e DKA-së nuk është paraparë sanksion kundërvajtës.

“Askush nuk mund të dënohet apo t`i shqiptohet sanksion kundërvajtës për veprën e cila para se të jetë kryer nuk ka qenë e përcaktuar si kundërvajtje me ligj apo akte (rregullore komunale), të Kuvendit të Komunës, dhe për të cilën nuk ka qenë i përcaktuar sanksioni kundërvajtës”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit kishte konstatuar se në rastin konkret, veprimi në fjalë me Ligjin për Arsimin Para universitar në Republikën e Kosovës parashihet si vepër kundërvajtëse, mirëpo sanksioni kundërvajtës nuk është paraparë, pasi që me ligj duhet të caktohet si minimumi edhe maksimumi i veçantë i gjobës, për çdo vepër kundërvajtëse.

Mirëpo në vendimin e datës 7 prill 2021, Gjykata Supreme konstaton se mos dërgimi i fëmijëve në shkollë paraqet vepër kundërvajtëse.

“Nëse nxënësi pa ndonjë arsye nuk regjistrohet, nuk e vijon shkollimin ose e ndërprenë shkollimin e detyruar, prindërit e tij dënohen për kundërvajtje, nëse mungesa është rezultat i veprimit të paramenduar ose neglizhencës së prindërve”, thuhet në Ligjin për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës të cituar në vendimin e Supremes.

Kjo Gjykatë ka vlerësuar se aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë se veprimet e prindërve fare nuk përcaktohen si kundërvajtje, është i gabuar dhe në kundërshtim të plotë me këtë dispozitë ligjore.

Supremja ka gjetur se Gjykata e Gjilanit e ka pezulluar procedurën ndaj prindërve jo për arsye se veprimet e tyre me ligj nuk janë përcaktuar si kundërvajtje por për arsye se nuk është përcaktuar sanksioni kundërvajtës.

Një gjë e tillë, sipas Gjykatës Supreme është në kundërshtim të plotë me gjetjen se nuk kemi të bëjmë fare me kundërvajtje pasi që në këtë rast është shqyrtuar edhe mundësia e shqiptimit të gjobës, por është gjetur se nuk ka dispozitë për minimumin dhe maksimunimin e gjobës e cila duhet të shqiptohet.

Përkundër gabimit të cilin e ka konstatuar Supremja, një vendim i tillë nuk ka pasoja juridike ndaj prindërve për shkak se vendimi i Gjykatës së Gjilanit është i formës së prerë dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk mund të shkoj në dëm të të pandehurve.

Që nga shtatori i vitit 2019, atëherë edhe kur kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati kishte filluar me riorganizimin e shkollave, apo ‘reformën’ në arsim.

Mbi 400 nxënës nuk kishin vazhduar mesmin në shkollat e përcaktuara nga komuna.

Komuna e Kamenicës kishte ushtruar padi ndaj 23 prindërve që nuk kishin dërguar fëmijët e tyre në shkollë.

Revolta ndaj reformës në arsim lë nxënësit pa mësim në Kamenicë