Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Gjykata Supreme liron nga paraburgimi Nazmi Mulakun, i cili pretendon se është mjek popullor

Gjykata Supreme ua ka ndërprerë masën e paraburgimit personit që paraqitej si mjek popullor, Nazmi Mulakut, dhe P.I., ndaj të cilëve rëndon dyshimi i bazuar se kundërligjshëm kanë ushtruar veprimtari mjekësore dhe farmaceutike si dhe kanë kryer veprën penale të mashtrimit, të parapara me Kodin Penal.

Lirimin nga paraburgimi e ka konfirmuar për Kallxo.com zëdhënënsja e Gjykatës, Liridona Xheladini.

Vendimi është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Afrim Shala, kryetar i kolegjit, Agim Maliqi dhe Mejreme Memaj – anëtarë, përkitazi me kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve.

Gjykata e Mitrovicës – dega në Vushtrri më 14.08.2024, të pandehurve Nazmi Mulaku dhe P. I., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike dhe mashtrimi, ua kishte vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muajve, e cila masë do t’u zgjaste deri më 14.10.2024.

Gjykata e Apelit më 23.08.2024 i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve dhe e ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë.

Kundër këtyre aktvendimeve, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë kanë ushtruar mbrojtësit e të pandehurve Nazmi Mulaku, avokati Fanol R. Krasniqi dhe i P.I., avokati Muhamet Mehmeti, me pretendime për shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Gjykata Supreme e Kosovës në bazë të aktgjykimit të sigurar nga Kallxo.com ka gjetur se kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë janë të bazuara.

Në aktgjykim thuhet se kanë pushuar se ekzistuari bazat e artikulueshme apo bazat ligjore për të cilat i është vazhduar paraburgimi deri më tani.

Sipas Gjykatës, edhe pse i pandehuri Nazmi Mulaku ka vendqëndrim në Zvicër, prania e tij mund të sigurohet me anë të sekuestrimit të përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit të të pandehurit, ftesave, bashkëpunimit juridik ndërkombëtar apo masave të tjera të përshtatshme.

Po ashtu, sipas aktgjykimit, nuk është gjetur ndonjë rrethanë konkrete e cila do të konfirmonte frikën e bazuar se të pandehurit do të ndikojnë te dëshmitarët të cilët janë të supozuar, pasi që nuk janë cekur emrat e tyre dhe ende nuk dihet se kush mund të jenë.