Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Gjykata Supreme liron nga gjitha akuzat ish-komandantin e Stacionit Policor në Novobërdë

Gjykata e Supreme e ka liruar nga akuzat për marrje ryshfeti dhe mos lajmërim të veprave penale ish komandantin e Stacionit Policorë në Novobërdë, Shukri Aliu. Kolegji i Supremes ka vendosur të refuzoj ankesën e Zyrës së Kryeprokurorit të Kosovës dhe t’i prish dy aktgjykimet e Gjykatës së Gjilanit dhe asaj të Apelit me të cilat Aliu ishte gjetur fajtor dhe ishte dënuar.

Kujtojmë se me aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Gjilan i akuzuari Shukri Aliu, ishte dënuar tri herë radhazi.

Në muajin dhjetor 2018, Aliu ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me 6 muaj burgim me kusht dhe 1,500 euro gjobë, por këtë çështje Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim. Pas rigjykimit Aliu në dhjetor të vitit 2019, prapë ishte dënuar nga Gjykata me dënimin e njëjtë sikurse në gjykimin e parë.

Kurse më 13 nëntor 2020, Gjykata, të akuzuarit Shukri Aliu, prapë i kishte shqiptuar dënim burgimi me kusht në kohëzgjatje prej 180 ditësh dhe dënim me gjobë prej 1,500 eurove, shumë të cilën detyrohej ta paguante brenda 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Ky vendim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Lidhur me vendimet dënuese të Gjykatës së Gjilanit dhe asaj të Apelit, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Aliu, avokati Ymer Huruglica. Sipas avokatit Huruglica vendimet e Gjykatës së shkallës së parë dhe asaj të Apelit, ishin përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale dhe shkelje të ligjit penal.

Kallxo.com ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës Supreme me të cilin ish komandanti i Stacionit Policor Shukri Aliu është liruar nga gjitha akuzat.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, pretendimi i mbrojtësit të të dënuarit, është i bazuar, ngase aktgjykimet e kundërshtuara janë marrë në shkelje të ligjit penal, pasi nuk është vërtetuar se i akuzuari i ka kryer veprat penale për të cilat është akuzuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, në muajin shtator 2017, i akuzuari Shukri Aliu, në cilësi të personit zyrtar-komandant i stacionit policor në Novobërdë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dhuratë (dru për ngrohje), në sasi rreth 5 metra kub, me kusht moszbulimin (e veprës penale), të vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani.

Shukri Aliu, gjithashtu akuzohej se në muajin korrik 2017, përmes telefonit komunikon me të pandehurin Ivan Dikiq, dhe nga i njëjti mëson se pa leje është duke poseduar armë të zjarrit dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, e cila armë gjatë bastisjes është sekuestruar.

Kallxo.com në vazhdimësi kishte raportuar për këtë rast:

Ish-komandanti i Stacionit të Policisë në Novobërdë shpallet fajtor nga Gjykata