Gjykata Supreme liron Naser Pajazitajn nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt
Naser Pajazitaj , i dënuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, është liruar nga akuzat për vrasje nga Gjykata Supreme.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka.
“Duke ju falënderuar për pyetjet, ju njoftoj se Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik” – ka thënë ajo.
Ndërkaq, Gëzim Kollqaku, avokati i Naser Pajazitaj ka thënë se klienti i tij është liruar pas kërkesës se ligjshmërisë e cila sipas avokatit Kollqaku është kërkuar që të lirohet për shkak të mungesës së provave dhe disa shkeljeve te cilat janë bërë gjatë procedurës gjyqësore.
Në një bisedë me KALLXO.com avokati Kollqaku ka thënë se klienti i tij Naser Pajazitaj e ka telefonuar nga burgu vëllain e tij dhe i ka thënë ta marrë nga burgu për shkak se i është aprovuar kërkesa e avokatit për dalje nga paraburgimi.
I njëjti ishte akuzuar për vrasje të rëndë të Donjeta Pajazitaj në vitin 2015 duke e qëlluar me dy plumba në kokë.
Kujtojmë që maj të vitit 2021, Gjykata në Ferizaj në rigjykim kishte dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Naser Pajazitajn.
Sipas aktakuzës së vitit 2017, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi ‘Kroi i Lajthisë’.
Tutje sipas aktakuzë i pandehuri me dy plumba në kokë e kishte vrarë e më pastaj për të humbur gjurmët e tashmë të ndjerës, të njëjtën e kishte mbuluar me drunj dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave në vitin 2018 e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.
Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.
Më pas, Gjykata Supreme në nëntor të vitit 2019 i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës, edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm.
Në këtë situatë, Gjykata e Pejës ishte përjashtuar nga gjykimi dhe lënda i ishte deleguar Gjykatës së Ferizajt.