Gjykata Supreme lë në paraburgim Nagip Krasniqin

Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë.

“Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj” – thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 Prill të këtij viti kishte caktuar një muaj paraburgim për kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Për këtë vendim mbrojtja kishte bërë ankesë e cila u refuzua nga Gjykata e Apelit.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.

Në njoftim thuhej se, Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e të pandehurit N. K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

Kompania kosovare “Limi-Plast”, pronë e Bujar Shalës, së bashku me kompaninë “Litwin SA” është pjesë e konzorciumit që ka lidhur kontratë në vlerë 3.4 milionë euro me Korporatën Energjetike të Kosovës për “riparimin kapital emergjent të kaldajës së bllokut A5”. Kjo kontratë ishte pjesë e kërkesës së Prokurorisë së Shtetit për paraburgimin e Nagip Krasniqit, kryeshefit tashmë të pezulluar të KEK-ut.

 

KEK reagon lidhur me kontratën për riparim të kaldajës në njësinë A5

Bordi i KEK-ut suspendon kryeshefin e arrestuar Nagip Krasniqin

Dosja – Nagip Krasniqi e ‘kishte shpërfillur rekomandimin e komisionit vlerësues për anulimin e kontratës’