Parku i aventurave

Gjykata Supreme lë në fuqi vendimin për pezullim të projektit ‘Parku i Aventurave’ në Gërmi

Gjykata Supreme ka vendosur që të lë në fuqi vendimin për pezullimin e projektit të “Parkut të Aventurave” në Gërmi, deri në vendimin përfundimtar për rastin.

“Grupi për Studime Juridike dhe Politike” dhe “Qytetarët Aktiv” kanë bërë të ditur se Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Komunës së Prishtinës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke e lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën e të paditurës Komuna e Prishtinës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke lënë në fuqi Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin gjithashtu ishte refuzuar si e pabazuar ankesa e Komunës së Prishtinës kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore me të cilin ishte shtyrë ekzekutimi i Vendimit të Komunës së Prishtinës, konkretisht lejes mjedisore komunale”, thuhet në njoftim.

Në vitin 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e organizatave joqeveritare Grupit për Studime Juridike dhe Politike, GLPS dhe organizatës ‘Qytetarët Aktivë’, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës, për realizimin e ‘Parkut të Aventurave’ në Gërmi, deri në vendosjen meritore të çështjes.

Sipas njoftimit të kësaj qendre, Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykatat instancave më të ulëta kanë vepruar drejtë kur kanë vendosur që të aprovojnë kërkesën e tyre dhe të Qytetarëve Aktivë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të organit administrativ deri në vendosjen përfundimtare të rastit.

“Gjykata e shkallës më të lartë konfirmoi se, vendimet e gjykatave kanë dalë nga provat që vërtetojnë se ekzekutimi i vendimit të kontestuar paraqet rrezik për shkaktim të dëmit paditësve, i cili vështirë do të riparohej, duke marrë parasysh dëmin që mund t’i shkaktohet një parku të mbrojtur mjedisor dhe degradimit të natyrës” thuhet në njoftim të kësaj qendre.

Flutra Zymi nga OJQ ‘Qytetarët Aktivë’ dhe dhe Valbonë Mustafa aktiviste e ambientit, e konsideruan këtë vendim një fitore shumë e madhe për të gjithë qytetarët! Sepse do të thotë që projekti nuk do të mund të zhvillohet dhe se Parku i Gërmisë nuk do të rrezikohet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e gjykatës.

Në fund të vitit 2020 komuna e Prishtinës nënshkroi kontratë më Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe ndërmarrjen SportMarketing për projektin ‘Parku i Aventurave’.

Parku pritej të përfshinte rreth 70 ari me disa improvizime dhe  shteg të ecjes. Shtrirja e tij parashihej të ishte nga Butovci në drejtim të Gërmisë.

Derisa, në mars të vitit 2021 Gjykata e Themelore aprovoi kërkesën e  shoqërisë civile për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të komunës për projektin  ‘Parku i Aventurave’ në Gërmi, që hyn në zonën e peizazhit të mbrojtur.

Këto organizata pretendojnë se komuna ka lëshuar leje për ndërtim të këtij parku në një zonë të mbrojtur dhe se ka dyshime për tejkalim të procedurave ligjore.

Kërkohet pezullimi i projektit për ‘Parkun e Aventurave’ në Gërmi (VIDEO)