Gjykata Supreme aprovon pezullimin e zbatimit të Rregullores së brendshme të ShSKUK-së

Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e Shërbimit Spitalor Klinik të Universitar të Kosovës (ShSKUK) për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, i cili pezullon Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës, duke e cilësuar atë si të pabazuar.

Kjo është shkalla e tretë që ka aprovuar vendimin e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit.

Krejt këto vendime janë rrjedhojë e padisë që mbi 130 punonjës të ShSKUK-së kanë bërë kundër kësaj rregulloreje, me të cilën kanë kërkuar edhe shtyrjen e ekzekutimit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Padia pretendon se kjo Rregullore e cila u miratua nga Bordi i ShSKUK-së më 09.04.2024, cenon të drejtat nga marrëdhënia e punës, duke mos ofruar garanci minimale për të punësuarit me afat të pacaktuar.

Sipas Supremes, Gjykata e instancave më të ulëta kanë vlerësuar me të drejtë se janë plotësuar kushtet ligjore për të shtyrë zbatimin e rregullores për të evituar dëmin vështirë të riparueshëm që do t’u shkaktohej paditësve.

“Shtyrja nuk provohet se është në kundërshtim me interesin publik, meqenëse e paditura ka funksionim normal dhe të rregullt të veprimtarisë shëndetësore në ofrimin e shërbimeve publike, andaj shtyrja e ekzekutimit të rregullores së kontestuar tani me padi është e justifikueshme” – thuhet në vendim.

Avokati i paditësve, Ardian Bajraktari është shprehur optimist se i tillë do të jetë edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi.

Kjo rregullore e kontestuar ka ndryshuar strukturën e këtij institucioni.

Struktura e mëhershme sipas së cilës 54 njësi i raportonin Drejtorit të Përgjithshëm është vlerësuar që vështirëson menaxhimin e institucionit. Kjo ka rezultuar edhe me performancë të dobët të institucionit, duke mos arritur as minimumin e rezultatit të pritshëm.

Sipas rregullores së re, Drejtorit do t’i raportojnë direkt 20 njësi, përfshirë drejtorin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), 7 spitalet rajonale, departamentet e divizionet, Qendra për integrim, rehabilitim dhe risocializim në Shtime, qendrat e shëndetit mendor dhe shtëpitë integruese në bashkësi dhe poliklinikat specialistike stomatologjike.

Me 7 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, Bordi i ShSKUK-së ka aprovuar Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, në mbledhjen e datës 08.04.2024.

“Kjo rregullore synon të ngrisë efikasitetin dhe produktivitetin e të punësuarve duke përcaktuar qartë përgjegjësitë për llogaridhënien që do të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore të cilat ofrohen nga ShSKUK” – kishte thënë Kryesuesi i Bordit, tashmë i dorëhequr, Naim Bardiqi në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes.

Ky akt nënligjor ka derivuar nga Statuti i ShSKUK-së dhe Ligji për Shëndetësi dhe rregullon edhe koeficientet e të punësuarve në administratë.