Gjykata Speciale vendosi që Salih Mustafës sërish t’i vazhdohet paraburgimi

Gjyqtari i procedurës paraprake në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Salih Mustafën ka cekur arsyet se përse ai duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

Ai ka cekur se paraburgimi për Mustafën vazhdon të jetë i nevojshëm.

Tutje thuhet se Zyra e Prokurorit të Specializuar pohon se mbrojtja nuk ka dhënë argumente dhe ndonjë arsye se pse nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se Mustafa është penalisht përgjegjës.

Po ashtu thuhet se ekziston rreziku që Mustafa do të udhëtojë me aeroplan dhe pengojë procedurat e Gjykatës Speciale, duke ndërhyrë në viktima dhe dëshmitarë.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me roje, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve.

Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar gjatë luftës.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.