Gjykata Speciale sot pritet të vendos për dëmshpërblimin e viktimave në çështjen Salih Mustafa

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka vendosur për të shqiptuar urdhërin për dëmshpërblim të viktimave në çështjen gjyqësore kundër Salih Mustafës.

Sipas njoftimit, seanca do të mbahet të enjten me fillim në ora 12:00.

Në bazë të ligjit dhe rregulloreve, Paneli ka analizuar rrethanat e rastit dhe ka vendosur se urdhri për dëmshpërblim do të shpallet publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në prani të të akuzuarit.

“Paneli: a. Planifikon dorëzimin e urdhrit të riparimit në rastin konkret të enjten, më 6 prill 2023, në ora 12:00, në seancë publike; dhe b. Urdhëron z. Salih Mustafa që të jetë fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit”- thuhet në parashtresë.

Në një përgjigje për KALLXO.com javë më parë, Gjykata Speciale ka konfirmuar se viktimat kanë të drejtën e njoftimit, pranimit dhe zhdëmtimit.

“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, viktimat para DHSK-së, që do të thotë individët që kanë pësuar dëm si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të renditur në një aktakuzë, kanë të drejtën e njoftimit, pranimit dhe zhdëmtimit. Bazuar në Rregullën 168 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, Trupi Gjykues mund ta urdhërojë kryesin e veprës penale që është shpallur fajtor t’u paguajë zhdëmtim viktimave individuale apo një grupi viktimash”- ka thënë Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik.

Në përputhje me Rregullën 164(2) të Rregullores, Rregulli 159(2) i Rregullores do të zbatohet në mënyrë të barabartë për shpalljen e dënimit.

“Urdhri për dëmshpërblim është paraparë në nenin 44 të Ligjit, i cili titull është “dënimet”, të shqiptuara përveç dënimit me burgim, Paneli konsideron se dispozitat e lartpërmendura në Ligj dhe Rregullore do të zbatohen në mënyrë të barabartë edhe për shpalljen e urdhrit për dëmshpërblim në përputhje me nenin 22(8) dhe 44(6) të Ligjit”- thuhet në parashtresë.

Paneli Provues i Dhomave të Specializuara ka urdhëruar Salih Mustafën që të jetë fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit në kohën dhe vendin e përcaktuar për shpalljen e urdhrit për dëmshpërblim në rastin konkret.

Ish-komandanti “Cali” në dhjetor të vitit 2022 nga Gjykata Speciale në Hagë u dënua me 26 vjet burgim.

Më 3 prill 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Salih Mustafës lidhur me zgjatjen e afatit për dorëzimin e dosjes së vet të Apelit.

Paneli e autorizoi mbrojtjen që dosjen e vet të Apelit ta dorëzojnë më së largu deri më 24 prill 2023.

Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas Prokurorisë, ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.