
Gjykata Speciale: Prokurorisë do t’i duhen mbi 6 vjet për të paraqitur provat kundër ish-krerëve të UÇK-së
Gjykata Speciale ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e mbrojtjes të reduktojnë kohën e përcaktuar për paraqitjen e provave dhe pyetjeve të dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi koha për nisjen e gjykimit po afron.
Të hënën është duke u mbajtur konferenca statusore e Prokurorit në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është caktuar për datën 3 prill 2023.
Gjatë konferencës, Gjykata kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e mbrojtjes që të reduktojnë kohën e përcaktuar për paraqitjen e provave dhe pyetjeve të dëshmitarëve në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas përllogaritjeve të paraqitura nga ZPS, do të duhet 6.5 vjet që të paraqesë provat dhe të marrë në pyetje dëshmitarët, gjë që sipas gjykatësit është e tepërt.
“Është e tepërt koha që është kërkuar nga ZPS-ja për ta paraqitur rastin e saj. Edhe mbrojtja duhet të reduktojë kohën për të marrë në pyetje dëshmitarët. Vetëm me dëshmitarët e Prokurorisë me këtë ritëm duhen 6 vjet e gjysmë për t’i përfunduar”- tha mes tjerash gjykatësi Charles Smith.
Tutje në diskutim u tha se nëse Prokuroria (ZPS) vepron sipas përllogaritjeve të paraqitura, vetëm për 12 dëshmitarët e parë, do të duhet deri në janar të vitit të ardhshëm për të përfunduar marrjet në pyetje.
Gjykatësi ka bërë të ditur se Prokuroria ka paraqitur 312 dëshmitarë, që do të thotë 46 dëshmitarë në vit dhe për ta duhen 6.5 vjet për të përfunduar procedurat.
Më tej Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri të ditur se po punon në rishikimin e kohës e paraparë, përfshirë largimin e disa dëshmitarëve.
“Synojmë të reduktojmë kohën e marrjes në pyetje për dëshmitarët. Jemi të interesuar të jemi sa më efikas, askush nuk do që gjykimi të vazhdojë për gjashtë vjet e gjysmë. Jemi në dijeni për këtë. Në 150 orë pyetje të drejtpërdrejta dhe kemi 11 dëshmitarë. Dëshmitarët e parë na jepin informacion të rëndësishëm për të parë nëse mund të paraqesim dëshmitarë të tjerë me shkrim, apo t’i heqim tërësisht. Kemi prova të mëdha për komunikatat e UÇK-së, dokumente nga të akuzuarit, deklarata nga të akuzuarit, dëshmitarët brenda dhe jashtë UÇK-së. Autenticiteti i komunikatave të UÇK-së po kundërshtohet nga mbrojtja”- deklaroi prokurori.
Ndërkohë, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së tha se po koordinohet që nëse dëshmitarët e Prokurorisë i referohen vetëm një prej të akuzuarve, ekipet e tjera të mbrojtjes nuk do ta marrin në pyetje. Ndërkaq, ekipi mbrojtës i Thaçit gjithashtu tha se vlerësimet kohore të paraqitura për dëshmitarët e mbrojtjes mund të reduktohen.
Konferencën statusore të akuzuarit po e ndjekin përmes video-lidhjes.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.
Më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Ata po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020
Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.