Gjykata Speciale prezanton vendimet dhe zhvillimet e fundit
Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara në Hagë, në konferencën për media, prezantoi zhvillimet dhe proceset aktuale në këtë Gjykatë.
Në rastin e Pjetër Shalës, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e mbrojtësit të viktimave për ndryshimin e masave mbrojtëse për viktimat pjesëmarrëse, me qëllim lejimin e disa informacioneve për ekspertin që do të vlerësonte dëmet materiale të pretenduara nga viktimat në këtë çështje gjyqësore.
Trupi Gjykues vendosi se nxjerrja e disa informacioneve për ekspertin nuk do të rrezikonte viktimat, pasi ky informacion do të përdorej për një vlerësim profesional nga një ekspert i pavarur, i cili më parë kishte marrë pjesë në çështje gjyqësore të Dhomave të Specializuara.
Gjithashtu, trupi gjykues vuri re se viktimat kishin dhënë miratimin e tyre për këtë vendim.
Më 30 maj 2023, Gjykata në këtë çështje gjyqësore pranoi kërkesat e ZPS-së (Zyra e Prokurorit Special) dhe të mbrojtjes për pranimin e materialeve si prova, të cilat përfshinin fotografi, harta dhe dëshmi të mëparshme, të përdorura gjatë pyetjeve drejtuar dëshmitarëve.
Po ashtu, u pranuan si prova edhe materialet e tjera të përdorura nga trupi gjykues, palët dhe mbrojtësi i viktimave.
Në javën aktuale, dëshmitari i shtatë, i thirrur nga Prokuroria, dha dëshmi në gjykimin e rastit Shala dhe do të vazhdojë me dhënien e dëshmisë edhe nesër.
Dëshmitari dha dëshmi nën masa mbrojtëse, kryesisht në seancë private. Trupi gjykues informoi se pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit, transkripti i plotë i saj do të rishikohej dhe do të publikohej në masën e mundshme.
“Vendimi për mbajtjen e seancave private merret me qëllim kryesor të mbrojtjes së sigurisë dhe identitetit të dëshmitarëve dhe viktimave”- tha Griep.
Në ditën e hënë, më 29 maj, Zyra Administrative organizoi një vizitë nën ruajtje për Hashim Thaçin në Kosovë, për të takuar anëtarët e familjes së tij.
Griep bëri të ditur se trupi gjykues miratoi kërkesën e Thaçit për këtë vizitë, duke e shqyrtuar si një kërkesë humane dhe bindëse.
“I akuzuari vazhdoi të qëndrojë në paraburgim dhe në ruajtjen e Dhomave të Specializuara gjatë gjithë kohës që qëndroi në Kosovë, me ndihmën e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës”- shpreh zëdhënësja Griep.
Thaçi u kthye në objektin e paraburgimit në Hagë në të njëjtën ditë.
Sipas Angela Griep seancat në këtë çështje gjyqësore do të rifillojnë të hënën, më 12 qershor, në orën 09:00.