Gjykata Speciale prezanton informacionet më të fundit lidhur me procedurat gjyqësore

Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Gjykatën Speciale mbajti një konferencë për mediat në platformën online “Zoom” të enjten, në të cilën prezantoi informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit në procedurat gjyqësore në këtë gjykatë.

Ajo ka njoftuar se trupi gjykues në çështjen gjyqësore Pjetër Shala publikoi vendimin më të fundit mbi pjesëmarrjen e viktimave, duke përshkruar mënyrën se si viktimat mund të marrin pjesë në procesin gjyqësor.

“Trupi gjykues gjithashtu vendosi se personat që kanë pësuar dëm si rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve të përfshira në aktakuzën e konfirmuar mund të vazhdojnë të parashtrojnë kërkesë të marrin pjesë në procesin gjyqësor si viktima deri pasi Prokuroria të ketë përfunduar paraqitjen e provave të veta. Aktualisht janë tetë viktima pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore” – tha Griep.

Griep po ashtu bëri të ditur se trupi gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët vendosi më 6 mars t’i përcillte mbrojtjes pjesët përkatëse të formularëve të kërkesave të dëshmitarëve me status të dyfishtë, që janë në grupin e dymbëdhjetë dëshmitarëve të parë që synon të thërrasë Prokuroria.

“Dëshmitar me status të dyfishtë konsiderohet një dëshmitar që është edhe viktimë pjesëmarrëse në çështjen gjyqësore. Trupi gjykues e çmoi të nevojshme ta jepte këtë informacion për të garantuar zhvillim të drejtë dhe të shpejtë të procesit gjyqësor” – njoftoi Griep.

Në të njëjtën çështje gjyqësore, administratorja njoftoi trupin gjykues se ka caktuar katër avokatë për të përfaqësuar individët të cilëve u rrëzua kërkesa për të marrë pjesë si viktima pjesëmarrëse, në bazë të vendimit të pestë të trupit gjykues mbi pjesëmarrjen e viktimave.

Individëve të cilëve nuk iu pranua kërkesa nga trupi gjykues kanë të drejtën t’u caktohet një avokat dhe të apelojnë vendimin.

Më 2 mars, trupi gjykues refuzoi mocionin e mbrojtjes së Thaçit për të ulur numrin e akuzave në aktakuzë duke vënë në dukje, ndër të tjera, se rishtazi e kishte ftuar Prokurorinë ngushtonte kuadrin e akuzave.