Gjykata Speciale njofton se i lejoi Jakup Krasniqit një vizitë të mbikëqyrur në Kosovë
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara i ka lejuar një vizitë të mbikëqyrur në Kosovë Jakup Krasniqit, për arsye bindëse humanitare, sipas njoftimit, për të takuar familjen e ngushtë.
Në media është raportuar se ka vdekur vëllau i Jakup Krasniqit.
Përmes një njoftimi për media, Gjykata Speciale nuk ka bërë të ditur se kur Krasniqi ka vizituar familjen në Kosovë, por që ka qenë nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
“Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje të z.Krasniqi në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, bashkë me ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin e Kadri Veselin, po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime të luftës dhe për krime kundër njerëzimit që pretendohet se janë kryer gjatë kohës së luftës në Kosovë.