Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit e Veselit

Gjykata Speciale në Hagë ua ka vazhduar paraburgimin dy ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Vendimi është marrë më 19 dhjetor nga gjykatësi Charles Smith.

Gjykata në këtë mënyrë e ka hedhur kërkesën e mbrojtjes së Veselit e Thaçit dhe ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit.

Paneli ka konstatuar se Thaçi e Veseli mund të pengojnë mbarëvajtjen e procedurave ose të angazhohen në krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në çështje dhe/ose duhet të paraqiten para Gjykatës.

Në vendim thuhet se Prokuroria ka afat që deri më 30 janar të dërgojë parashtresat për shqyrtimin tjetër të paraburgimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata  po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.