Pjetër Shala - 23.04.2021

Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

Gjykata Speciale e ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj Pjetër Shalës, ish-luftëtar i UÇK-së, i akuzuar për krime lufte.

Kjo pasi më 27 tetor Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj Shalës.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nikolas Giju, më 10 nëntor përmes një vendimi ia vazhdoi Pjetër Shalës paraburgimin.

Sipas pikës së 35-të të këtij vendimi gjykatësi Giju ka gjetur se ekziston rreziku i arratisjes së Shalës dhe pengimi i zhvillimit të procedurës penale.

Po ashtu, sipas gjykatësit, ekziston rreziku për kryerjen  e krimeve kundër personave që kanë bashkëpunuar me ZPS-në dhe do të dëshmojnë para Dhomave të Specializuara.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020 e të redaktuar, më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Në aktakuzë përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Madje aty thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje të paligjshme, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.