Ilustrim

Gjykata Speciale i çon ftesë edhe një ish-pjesëtari të UÇK-së

Edhe një ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, e cila do ta marrë atë në pyetje.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Besim Bajrami, është i ftuari i radhës për t’u intervistuar pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur dega e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së në Rahovec.

“Vazhdojnë ftesat nga Gjykata Speciale e Hagës. I ftuari i radhës është ish ushtari i UÇK-së Besim Bajrami nga fshati Drenoc i Rahovecit”, kanë njoftuar veteranët e Rahovecit.

Ndërkaq, vetë Bajrami ka bërë të ditur se është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, për t’u marrë në pyetje në fund të këtij muaji.

Në muajin shtator, Gjykata Speciale ka marrë në pyetje disa figura të tjera të vendit: Safete Hadërgjonajn nga Partia Demokratike e Kosovës; Time Kadrijajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka shërbyer si mjeke e UÇK’së; Sokol Bashotën e PDK’së, që ka qenë zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së; dhe Naim Malokun, i cili ka qenë epror në UÇK.

Më herët, Gjykata Speciale ka ftuar edhe kryeministrin në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka qenë komandant i UÇK’së në Dukagjin./RTK