Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Gjykata Speciale fton Durmish Gashin

Durmish Gashi gjatë ditës së djeshme është ftuar nga Gjykata Speciale.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur Gashi në ‘Facebook’.

Gashi ka shkruar se është krenar që i takon gjeneratës që ka luftuar sundimin serb në trojet shqiptare.

Durmish Gashi ka përmendur masakrat e bëra nga forcat serbe në shumë fshatra të Rahovecit e Prizrenit, ndërsa ka thënë se para gjyqit duhej të dilnin personat që i kanë kryer ato masakra.

“Më vie keq që sot , në vend të urimit për ditëlindjen e Andinit ( djalit të vëllait tim ) , më duhet të shkruaj këtë njoftim për ftesën e ardhur në emrin tim nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar, ashtu siç pranuan e po pranojnë çdo ditë ftesa të tilla shumë bashkëluftëtar të UÇK- së. Jam krenar që i takoj gjeneratës e cila gjithë jetën luftoi sundimin serb ndaj trojeve shqiptare, fillimisht në organizimet ilegale të kohës, e më pas i rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në shtabin lokal të Fortesës , në Brigadën 124 “Gani Paçarizi” si dhe pranë Zonës Operative të Pashtrikut si zv. Komandant për ndërlidhje deri në përfundim të luftës. Shumë prej tyre kanë rënë dëshmorë për liri e bashkim kombëtar , ashtu siç ishte edhe betimi i ushtarit të UÇK-së. Do të duhej që shumë kohë më parë , gjyqi të iu bëhej atyre që vranë e masakruan me qindra e mijëra shqiptar të pafajshëm gjithandej në Kosovë por edhe në Rahovec, Fortesë, Krushë të Madhe, Celinë, Krushë të Vogël, Qëndresë, Hoqë e Vogël, Brestoc, Apterushë, Senoc, Rudinë (Pastasel), Ratkoc, Rogovë, Zatriq, Pataqan i Ulët dhe i Epërm e ky varg vazhdon në pafundësi. Ende kemi shumë të vrarë e të pagjetur nga kriminelët serb , por deri më tani nuk u dënua askush për krim, gjenocid dhe pastrim etnik nga forcat okupatore serbe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet krenaria e popullit tonë!”, ka shkruar Gashi.