Hashim Thaçi gjatë një paraqitjeje para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gjykata Speciale flet për letrën që Hashim Thaçi nga Haga ia dërgoi Edi Ramës

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, kanë deklaruar se personat e paraburgosur mund të dërgojnë dhe të pranojnë letra nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Këtë qëndrim e ka dhënë për KALLXO.com shefja e sektorit të Informacionit dhe Komunikimit Publik të Gjykatës Speciale, Angela Griep, kur është pyetur nëse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur të drejtë të dërgojë letër për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Griep në një përgjigje me shkrim ka theksuar se për arsye të privatësisë nuk mund të japin informacione specifike për letërkëmbimet e një të paraburgosuri.

Ajo ka shtuar se të paraburgosurit duhet që personalisht të mbulojnë shpenzimet për dërgimin e letrave ose në rast se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, kjo mund të mbulohet financiarisht nga Dhomat e Specializuara.

“Të paraburgosurit mund të dërgojnë dhe marrin letra. Ata duhet të mbajnë shpenzimet për shërbimet postare të disponueshme në shërbimet e paraburgimit, ose, në rast se nuk mund ta përballojnë atë, të paraqesin një kërkesë me shkrim që shpenzimet të mbulohen nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në përgjigjen e saj.

Zëdhënësja Griep ka treguar edhe procedurat e kontrollit të letrave në fjalë.

“Siç është e nevojshme në mjedisin e sigurisë së lartë të Qendrës së Paraburgimit, Kryeshefi i Paraburgimit do të hapë, inspektojë dhe lexojë letërkëmbimin e të burgosurve në hyrje dhe dalje”, tha ajo, duke shtuar se korrespondenca e mbrojtur nga konfidencialiteti nuk do të hapet ose lexohet.

“Kjo përfshin korrespondencën me një këshilltar të të paraburgosurve dhe autoritete specifike si ICRC [Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq], Ombudspersoni, regjistruesi ose një anëtar i stafit që vepron në emër të saj, një gjykatës ose kolegj i Dhomave të Specializuara ose një anëtar i stafit që vepron në emër të tyre, ose një autoritet tjetër gjyqësor njohur nga sekretari”, ka shtuar ajo për KALLXO.com.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, të martën njoftoi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Haga ia ka dërguar një letër atij. Në këtë letër, të cilën Rama e ka publikuar në Facebook, Thaçi e ka uruar atë për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Thaçi që nga nëntori i vitit të kaluar po qëndron në paraburgim në Hagë, pasi ndaj tij dhe të tjerë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), iu konfirmuan aktakuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Akuzat janë mohuar nga ish-presidenti Thaçi.

Thaçi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovë, më 5 nëntor 2020, në ditën kur iu konfirmua aktakuza.