Gjykata Speciale emëron edhe 6 gjykatës

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, kanë njoftuar se janë emëruar edhe gjashtë gjykatës të rinj në regjistrin e gjykatësve ndërkombëtarë.

Sipas njoftimit, gjykatësit e rinj janë: Gilbert Bitti nga Franca, Daniel Fransen nga Belgjika, Fergal Gaynor nga Irlanda, Romina Incutti nga Italia, Nina Jorgensen nga Norvegjia dhe Roumen Nenkov nga Bullgaria.

Këta të rinjtë u shtohen 17 gjykatësve të tjerë që aktualisht janë në regjistër.

“Autoriteti Emërues gjithashtu emëroi gjykatësin Antonio Balsamo dhe gjykatësin Nenkov posaçërisht si gjykatës të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese dhe zj, Incutti e emëroi gjykatëse rezervë në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, me kërkesën e tij, gjykatësi Roland Dekkers nuk është më gjykatës i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, por do të jetë në Regjistër, që sipas njoftimit, i mundëson të caktohet në Dhoma të tjera me përjashtim të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

“Kryetare Trendafilova i përshëndeti ngrohtësisht gjykatësit e emëruar rishtazi dhe deklaroi se pret me kënaqësi të bashkëpunojë me ta dhe me gjykatësit e tjerë të Regjistrit, për përmbushjen efikase dhe të efektshme të mandatit të DHSK-së”, thuhet në fund të njoftimit.

Emërimi i gjykatësve të rinj është bërë në ditën kur OVL e UÇK-së njoftoi se ka pranuar draft-aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e personave të tjerë.