Gjykata Speciale cakton datën e seancës së ardhshme ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Sipas njoftimit të Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), seanca ardhshme dy zyrtarëve të OVL të UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, do të mbahet më 30 mars, me fillim nga ora 15:00.

Në këtë seancë thuhet se do të rishikohen zhvillimet sa i përket zbardhjes të së vërtetës, pastaj përditësimet për hetimet e bëra nga mbrojtja dhe do të ndërmerren hapa të tjerë të nevojshëm për t’u përgatitur për gjykim.

Dy krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt kohë më parë u është vazhduar masa e paraburgimit.

Ata me vendimin e fundit të gjyqtarit Nicolas Guillou, do të qëndrojnë në paraburgim deri më 1 prill të vitit 2021.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator në Prishtinë e më pas ishin transferuar për në Hagë.

Ata ishin arrestuar pasi dyshoheshin se kishin ndërmarrë veprime për pengim të punës së dhomave të specializuara, duke shpërndarë informacione konfidenciale dhe frikësuar dëshmitar.

Pak muaj pas arrestimit ndaj tyre prokurorët e specializuar kishin ngritur aktakuzë, e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor të vitit 2020.

Dy krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati në seancën e parë të paraqitjes së tij ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa Haradinaj nuk kishte dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e tij.

Sipas aktakuzës në prill dhe shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë këta persona ishin quajtur gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë nga dy krerët e OVL të UÇK-së.

Përpos kësaj pike të dy akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe Prokurorisë së Specializuar.

Përveç shpërndarjes ata akuzohen se inkurajuan të tjerët të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj organizuan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik përmes thirrjes së konferencave për media.

Në këto konferenca në aktakuzë thuhet se mbi tavolina u ekspozuan dokumentet e Dhomave të Specializuara.

Sipas prokurorisë ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.