Foto: Ilustrim

Gjykata shtyn ekzekutimin e lejes ujore dhe mjedisore për Hidrocentralin 'Lepenci 3' në Kaçanik

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shtyrë ekzekutimin e vendimeve për leje ujore dhe mjedisore për Hidrocentralin “Lepenci 3” në Kaçanik.

Organizatat Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe “Gjethi”, në fund të vitit 2021, kanë paraqitur padi nëpërmjet Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike, me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit për lejen ujore dhe të vendimit për lëshimin e lejes mjedisore të lëshuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për Hidrocentralin “Lepenci 3” në Kaçanik.

“Lidhur me kërkesën e palës paditëse për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve të kontestuara, Gjykata Themelore, Departamenti për Çështje Administrative përsëri ka vërtetuar se paditëset kanë ofruar prova të besueshme, të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm paditësve, i cili dëm vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara nuk është në kundërshtim me interesat e publikut. Andaj, Gjykata ka vendosur që të aprovojë shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara deri në vendosjen përfundimtare të çështjes”, thuhet në komunikatë.

Gjykata e Apelit kishte prishur aktvendimin e parë të Gjykatës Themelore për këtë çështje, pas ankesave të parashtruara nga e paditura dhe pala e interesuar duke e kthyer lëndën në gjykatën e shkallës së parë për rivendosje.

GLPS dhe “Gjethi” kanë deklaruar se e mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.