Gjykata shpall të pafajshëm qytetarin që goditi me vezë Kryeministrinë

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi më 1 shkurt 2021 të shpallë të pafajshëm 48-vjeçarin Pavlin Tetaj, i akuzuar nga prokuroria për veprën penale “prishja e qetësisë publike”, pasi më datë 1 maj 2017 goditi me disa vezë fasadën e kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Menjëherë pas ngjarjes, ai u ndalua nga disa punonjës policie që ndodheshin në vendngjarje dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë.

Prokurori i çështjes, Etien Kapo kërkoi në konkluzionet përfundimtare deklarimin fajtor të të pandehurit Pavlin Tetaj dhe dënimin e tij më 1 muaj e 15 ditë burgim – ndërsa avokatja e caktuar kryesisht nga gjykata, Antoneta Lala i ka kërkuar gjykatës të caktojë një dënim më të lehtë.

Ndryshe nga prokuroria dhe mbrojtja që kërkuan dënim, gjyqtari i çështjes Erjon Bani e ka deklaruar të pafajshëm të pandehurin, Pavlin Tetaj duke vlerësuar se në veprimet e tij nuk provohet të ketë fakt penal dhe se goditja me vezë është shprehje e protestës së tij individuale.

Duke u bazuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutë dhe në jurispudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjykata vlerëson se Tetaj ka vepruar në ushtrim të të drejtës së lirisë së tij për t’u shprehur.

Prokurori i çështjes, Etien Kapo i tha BIRN gjatë një komunikimi me mesazh telefonik se ka kryer ankim ndaj vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

I pandehuri pranon ngjarjen, por jo akuzën

Në vendimin e arsyetuar të gjykatës thuhet se i pandehuri Pavlin Tetaj është gjykuar në mungesë dhe se vlerësimi është kryer mbi deklarimet e dhëna gjatë hetimeve paraprake. Ai ka shpjeguar se kishte dy javë që ishte kthyer nga Italia ku jetonte së bashku me familjen dhe se në Shqipëri nuk dispononte banesë, ndërkohë që ishte strehuar tek halla në Laprakë të Tiranës.

“Rreth orës 12:30 kam shkuar tek pazari i ri në qendër të Tiranës dhe kam blerë 4(katër) kokrra veze tek një person që shiste në rrugë, pasi kam qendruar disa minuta tek lulishtja përballë kafe ‘EUROPES’, jam nisur në drejtim të bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe kam shkuar para Kryeministrisë rreth orës 13:00,” ka treguar Teta në dëshminë e tij.

“Kam nxjerë nga xhepi vezët që mbaja me vete dhe kam qëlluar në drejtim të katit të dytë të godinës së kryeministrisë dhe konkretisht nga pjesa kryesore,” shton ai, ndërsa thekson se arsyeja e hedhjes se vezëve ka qënë vetëm se është i papunë.

Tetaj e ka kundërshtuan akuzën dhe ka këmbëngulur se kjo ka qenë mënyra e tij për të protestuar ndaj mënyrës së qeverisjes.

Tetaj ka theksuar se nuk e ka prishur rendin dhe qetësinë publike të asnjë lloj njeriu apo grupi shoqëror.

“Nuk kam bërtitur, nuk kam kënduar, nuk kam krijuar zhurma të cilat të shqetësonin komunitetin apo individ të veçantë. Nuk kam hedhur gurë, apo vezë në banesën e ndonjë shtetasi, nuk kam fyer e apo hedhur fjalë poshtruese ndaj ndonjë personi apo grupeve të njerzëve të cilët të ndjeheshin keq nga fjalori im,” ka deklaruar ai.

“Unë thjeshtë, qetë, pa zhurmë, me sende të cilat nuk dëmtojnë e shkatërrojnë pronën e personit apo të institucionit, kam protestuar në mënyrën time kundër qeverisë aktuale e cila për mendimin tim nuk po qeverisë si duhet, nuk po mban premtimet e dhëna në fushatën elektorale,” ka shtuar 48-vjeçari.

Ai ka vijuar se është kryefamiljar i një familje me pesë persona të cilët presin “bukën e gojës në darkë” prej tij dhe se nuk po e realizon dot këtë gjë, pasi nuk ka arritur të punësohet.

“Pra veprimi im nuk ka prishur qetësinë publike, nuk ka cenuar moralin shoqëror, nuk ka dëmtuar apo shkatërruar pronën e dikujt,” ka deklaruar ai.

“Në bazë të Kushtetutës unë kam të drejtë të protestoj,” ka pohuar Tetaj dhe ka treguar se nuk ka reaguar ndaj ndërhyrjes së punonjësve të gardës të cilët e kanë larguar, duke ju bindur në “mënyrën më të kulturuar të mundeshme”, pasi konsideronte se ata po kryenin detyrën.

I pandehuri nuk ka shprehur pendesë për veprimin e kryer.

Protesta si liri e shprehjes

Gjykata çmon se në rrethanat që ka ndodhur ngjarja, aplikimi i nenit 274 të Kodit Penal “Prishje e qetësisë publike”, mund konsiderohet një dispozitë që duhet sikur kufizon lirinë e shprehjes, e garantuar drejtpërdrejtë nga Kushtetuta.

Për të analizuar mbi këto rrethana, gjykata i referohet Kushtetutës, lidhur me parashikimet për “Liritë dhe të drejtat vetjake”, ku përcaktohet ndër të tjera se: “Liria e shprehjes është e garantuar”. Gjithashtu janë sjellë në vëmendje interpretimet nga Gjykata Kushtetuese për liritë dhe të drejtat.

Sipas gjykatës liria e shprehjes përbën një nga gurët themelorë të shtetit demokratik. Pa garantimin e kësaj të drejte nuk mund të bëhet fjalë për pluralizëm, tolerancë dhe krijim të vullnetit të lirë politik, aq të domosdoshëm për shoqërinë demokratike. Shkëmbimi i ideve dhe informimi i lirë janë gjithashty ndër mjetet më të rëndësishme dhe më efikase për të kontrolluar demokracinë si formë e qeverisjes.

Po ashtu, pasqyrohen edhe prashikimet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, KEDNJ lidhur me lirinë e shprehjes dhe theksohet se marrëveshjet ndërkombëtare kanë epërsi mbi ligjet e vendit – si dhe jurispudenca e Gjykatave Evropiane për të drejtat e Njeriut, GJEDNJ.

Vendimi për pafajësinë

Gjykata e nis vlerësimin lidhur me përgjegjësinë penale të të pandehurit Pavlin Tetaj dhe analizon veprën penale “Prishja e qetësisë publike” për të cilën akuzohet. Gjykata çmon se për zbatimin e drejtë të kësaj dispozite në praktikë, duhet të sqarohet termi juridik ‘vend publik’.

Sipas gjykatës “vend publik” duhet kuptuar çdo mjedis që iu ofrohet për ta frekuentuar, vizituar apo përdorur, një publiku të gjerë, pa asnjë kufizim dhe që qytetarët mund të shkojnë atje lirisht dhe pa asnjë ndalim.

Gjykata konstaton se godina e Këshillit të Ministrave është një institucion i rëndësisë së veçantë dhe nuk mund të konsiderohet si një vend publik në kuptim dhe zbatim të drejtë të nenit 274 të Kodit Penal, “Prishja e qetësisë publike”.

Në vendim thuhet se nga pamjet filmike dhe nga deklarimi i Tetajt rezulton se, kur ka ndodhur ngjarja nuk ka pasur prani të publikut.

Gjithashtu, çmohet se edhe nëse veprimet e Tetajt, do të ishin kryer në vend publik dhe në prani të publikut, përsëri nuk mund të konsiderohet si një “sjelljeje të papëlqyeshme” që të sjellë pasoja në kuptim të veprës penale për të cilën akuzohet.

Gjykata thotë se, mbështetur dhe në jurisprudencën e GJEDNJ-së, vlerëson vetëm se kush ka qenë qëllimi të pandehurit në ndërmarrjen e këtij veprimi sipas gjykimit të tij.

Për të arritur në këtë përfundim, Gjykata mban në konsideratë arsyetimin në çështjen “Murat Vural kundër Turqisë”.

Gjykata e Tiranës sjell në vëmendje se intesiteti i veprimeve të të pandehurit Pavlin Tetaj është shumë herë më i ulët në raport me ato të kryera nga shtetasi turk Murat Vural, për të cilën GJEDNJ konstatoi se kishte shkelje të nenit 10 të KEDNJ, “Liria e e shprehjes”.

Në vendim thuhet se vendimet e GJEDNJ nuk mund të cënohen nga gjykatat kombëtare dhe vlerëson se prokuroria ka bërë interpretim të gabuar të ligjit material kur ka regjistruar procedim për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Gjyqtari Bani vëren se gjykata ka detyrimin të kryejë interpretim në pajtim me Kushtetutën dhe se në rastin konkret veprimet e të pandehurit Pavlin Tetaj duhet të përjashtohen nga fushëveprimi i nenit 274 të Kodit Penal, “Prishja e qetësisë publike”.

Sipas gjykatës, në rastin konkret hetimi duhej të ishte përqëndruar tek vepra penale “Shkatërrim prone”. Duke ju referuar jurispudencës së Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Gjykata e Tiranës vëren se pasojë e rëndë për dëmin që pëson personi juridik do të konsiderohet kur vlera e dëmit është mbi dy million lekë.

“Gjatë gjykimit konstatohet se dëmi që i ka ardhur godinës së Këshillit të Ministrave nga goditja me dy vezë nuk kalon vlerën e 2 milion lekë,” citohet në vendim.

Në përfundim, gjyqtari Erjon Bani konkludon se në këtë rast nuk provohet se ka fakt penal dhe për pasojë nuk ka as faj, duke konkluduar se i pandehuri Pavlin Teta është i pafajshëm për akuzën “Prishje e qetësisë publike”.