Gjykata serbe gjykon shqiptarin e Kosovës për vrasje gjatë luftës

Një ish-luftëtar i dyshuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nezir Mehmetaj, doli në gjyq në Beograd për pjesëmarrje në vrasjen e shtatë personave dhe për plaçkitje dhe djegie të shtëpive në qershor dhe korrik 1999.

Gjyqi i Nezir Mehmetaj, një shqiptar i Kosovës i akuzuar për pjesëmarrje në krime lufte kundër civilëve në fshatin Rudice në komunën e Klinës në qershor dhe korrik 1999, filloi të enjten në Gjykatën e Lartë të Beogradit.

Mehmetaj akuzohet për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudice si anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas aktakuzës, ai mori pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Dasiç në mes të qershorit 1999, pastaj në vrasjen e dy personave të tjerë, Jelaj Ramadan dhe Zorka Siljakoviç, në incidente të ndara në fund të muajit.

Mehmetaj dhe anëtarë të tjerë të panjohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës plaçkitën dhe dogjën gjithashtu dhjetë shtëpi në fshat në korrik 1999, të gjitha ato u përkisnin joshqiptarëve, pretendon aktakuza.

Ai më tej akuzohet për ngacmim të anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian në Rudice.

Në një rast në korrik 1999, ai solli me forcë gjashtë ose shtatë adoleshentë romë dhe egjiptianë në shtëpinë e tij në fshat, i detyroi ata të hapnin një gropë për një orë, pastaj i ofendoi dhe hapi zjarr në drejtim të tyre. Të rinjtë ikën nga frika dhe më vonë u larguan nga fshati dhe nuk u kthyen më kurrë.

Mehmetaj mohoi të gjitha akuzat.

Ai tha se kishte lindur në fshatin Rudice, por se u largua nga Kosova në 1987 dhe shkoi në Zvicër për të punuar.

Ai tha se rikthejej për të vizituar familjen e tij vetëm një herë në vit dhe se nuk shkoi në Kosovë gjatë luftës në 1999.

“Kam ardhur në Kosovë për herë të parë pas luftës në shtator 1999, nëpërmjet Shqipërisë, bleva një makinë në Durrës, mora nënën, motrat dhe vëllain tim dhe shkova me ta në fshatin Rudice”, tha Mehmetaj në gjykatë.

Familja e tij ishin refugjatë në Shqipëri në atë kohë, tha ai.

Pasi arriti në Kosovë, ai tha se filloi të kërkonte babanë e tij, i cili u arrestua në vitin 1998 dhe vendndodhja e të cilit nuk dihej. Ai u gjet përfundimisht në një burg në Sremska Mitrovica në Serbi.

“Zbulova se babai im ishte gjallë në mes të tetorit, kur përfaqësues të Kryqit të Kuq erdhën në shtëpinë tonë në Rudice. Në fund të nëntorit 1999, u ktheva në Zvicër, te gruaja dhe familja ime”, shtoi Mehmetaj.

Mehmetaj u arrestua në janar 2020 në pikën kufitare të Merdares midis Serbisë dhe Kosovës, me një urdhër arresti nga Serbia. Ai ka qenë në paraburgim që nga ajo kohë.

Gjyqi vazhdon në maj. (BalkanInsight)