Selami Simsek në Gjykatën e Tiranës më 27 Janar 2020. Foto: Malton Dibra/LSA

Gjykata rrëzon përpjekjet e qeverisë për të dëbuar ‘gylenistin’ Selami Simsek

Gjykata Administrative e Apelit shpalli të enjten se vendimet e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë dhe Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët që i kishin refuzuar shtetasit turk Selami Simsek të drejtën për azil në Shqipëri, ishin gjetur në “pavlefshmëri absolute”, ndërsa refuzoi pjesën e padisë që i detyronte këto institucione të pranonin kërkesën për azil.

“Ndryshimin e Vendimit Nr.3431 Dt.21.12.2020 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë; – Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë; – Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit Nr.08 Dt.09.03.2020 të Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme dhe Vendimit Nr.18 Dt.10.09.2020 te Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët,” shkruhet në dispozitivin e çështjes së relatuar nga gjyqtarja, Blerona Hasa.

Avokati Elton Hyseni, i cili ka përfaqësuar shtetasin turk gjatë procedurave për azil, i tha BIRN se me vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dëbimi i Simsek nuk ishte më i mundur, pasi vendimet që ia refuzonin azilin tani ishin nul.

Çështja e Simsek po shqyrtohet që prej marsit të vitit të kaluar, kur Drejtoria e Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme refuzoi kërkesën për azil, por e mbajti vendimin “të fshehur” për muaj me rradhë.

Selami Simsek u arrestua korrikun e vitit të kaluar me një vizë kanadeze false në Rinas, së bashku me mësuesin Harun Çelik. Ata pretenduan se po arratiseshin pasi përndiqeshin nga Turqia si pjesë e lëvizjes së klerikut Fetullah Gylen.

Më 1 janar, Shqipëria dëboi Harun Çelik pavarësisht thirrjeve të tij në kërkim të azilit. Çelik u burgos menjëherë sapo mbërriti në Turqi, ndërsa Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu raportoi se ai ishte kapur në një operacion ku ishte përfshirë dhe shërbimi sekret turk, MIT.

Në një proces të ndarë gjyqësor, Selami Simsek u dënua më 27 janar nga Gjykata e Tiranës me një vit e gjysmë burg, ndërsa përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak se pranoi fajin dhe shprehu pendesë.

Ai u lirua nga burgu pasditen e 9 marsit 2020 dhe u shoqërua nga policia tek Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Laprakë, ku bëri kërkesën për azil. Kjo kërkesë iu refuzua, por për disa muaj vendimi nuk iu njoftua as avokatit dhe as vetë Simsek.

Në shtator 2020, në një vendim kontrovers të kundërshtuar nga përfaqësuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, edhe Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët vendosi me shumicë refuzimin e kërkesës për azil bazuar kryesisht mbi procedurë.

Simsek e kundërshtoi këtë vendim në Gjykatën Administrative, por në Shkallën e Parë u la në fuqi vendimi i autoriteteve në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Rasti i Simsek dhe bashkudhëtarit të tij të dëbuar, Harun Çelik ka nxitur hetime për akuza të rrëmbimit të personit dhe zhdukjes nga një grup i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndalimet Arbitrare, i cili i dërgoi Shqipërisë një listë pyetjesh në maj të vitit të kaluar.(reporter.al)