Foto: KALLXO.com

Gjykata refuzoi kërkesën e mbrojtjes për të ditur emrat e policëve që kanë incizuar ish-oficerin e burgut që pretendohet se u kap duke marrë ryshfet

Në Gjykatën e Prizrenit më 20.09.2024 është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Bajram Rexhaj, i cili akuzohet se si oficer korrektues ka pranuar 50 euro ryshfet në këmbim të futjes së numrit të telefonit në Qendrën e Paraburgimit, kartelë mbushëse telefonike dhe një parfumi.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mazreku (me autorizim zëvendësues nga avokati Besnik Berisha), deklaroi se në shqyrtimin e fundit ishte dëgjuar dëshmitari Avdyl Sekiraqa dhe gjatë dëshmisë së tij, sipas tij, mbrojtja ka kuptuar se një pjesë e incizimeve të realizuara në vend të ngjarjes pretendohet se janë bërë nga zyrtarët policorë me telefon privat.

Ai tha se ato asnjëherë nuk i janë dorëzuar mbrojtjes dhe potencoi se mbrojtja e ka pasur të pamundur të dijë emrat e zyrtarëve policorë që pretendohen se i kanë bërë incizimet.

Avokati Mazreku tha që për tu siguruar për autetenticitetin e tyre, mbrojtja ka vepruar që zyrtarisht t’i sigurojë informacionet, përkatësisht emrat e hetuesve policorë dhe numrat IMEI të tyre të telefonave, në mënyrë që të propozohet ekzaminimi i tyre.

Në anën tjetër, prokurorja Ervehe Gashi tha se nuk është nevoja që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit apo për t’iu zbuluar identiteti i zyrtarëve policorë që e kanë kryer apo bërë video-incizimin me telefon privat. Duke shtuar se për vërtetësinë lidhur me video-incizimet ekziston institucioni i specializuar – Agjencia e Kosovës për Forenzikë, që mund ta bëjë këtë ekspertizë.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani vendosi lidhur me kërkesën e mbrojtjes.

Me ç’rast u refuzua propozimi i avokatit Blerim Mazreku për zbulimin e emrave të zyrtarëve policorë, por aprovoi kërkesën që këto incizime të dërgohen për ekzaminim për të vërtetuar se a ka pasur ndërhyrje.

Seanca e ardhshme për këtë rast është caktuar më 02.12.2024.

Çështja po drejtohet nga kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, me anëtaret – gjykatëset Ajser Skenderi dhe Arjeta Gashi.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Bajram Rexhaj akuzohet se më 16 mars 2022, në cilësi të personit zyrtar ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Akuza thotë se i pandehuri në ditën kritike në një pompë të derivateve në hyrje të Prizrenit gjatë aplikimit të masës së simulimit të veprës së korrupsionit, ka pranuar para në shumën prej 50 euro me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si: numër telefoni, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum.

Prokuroria pretendon se sendet e ndaluara kanë qenë për një të burgosur me nofkën “Edin”.

Me këtë Rexhaj po akuzohet se ka kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.