Gjykata refuzoi caktimin e paraburgimit, rikthehet në punë mjeku që u denoncua për sulm seksual nga pacientja
Është liruar nga ndalimi dhe është rikthyer në vendin e punës mjeku i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vushtrri, Avdullah Vojvoda që ishte arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar seksualisht një paciente, më 04.08.2024.
Gjykata Themelore e Mitrovicës ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për të caktuar masën e paraburgimit.
“Prokuroria ka dorëzuar kërkesën për paraburgim, gjyqtari i çështjes e ka shqyrtuar kërkesën dhe ka mbajtur seancë. Pas përfundimit të seancës ka marrë vendim dhe ka refuzuar kërkesën e prokurorit. Sipas njoftimit te gjyqtarit te çështjes i njëjti është liruar, nuk është caktuar asnjë masë” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës për KALLXO.com.
Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, Naile Xhaka konfirmoi se ai është rikthyer në punë dje (08.08.2024) dhe se ndaj tij nuk është ndërmarrë asnjë masë nga ana e institucionit.
“Prej dje doktori është në punë” – tha ajo.
E pyetur nëse kanë hapur procedurë disiplinore ndaj doktorit, Xhaka tha se nuk e kanë parë të arsyeshme.
“Jo, neve na është kthy me aktvendim që është i lirë dhe ka lejen e punës. Përderisa konsiderohet i pafajshëm s’e kam parë të arsyeshme” – tha drejtoresha.
Abit Asllani, avokat i të dyshuarit tha se rasti ka qenë një keqkuptim i palës dhe se mjeku ka qenë vetëm duke kryer ekzaminimet mjekësore.
“Nuk ka pas prekje të papërshtatshme, nuk është konstatu. Në gjykatë nuk është prezantu asnjë provë dhe rrjedhimisht dëshmitë tona kanë qenë shumë të fuqishme dhe kredibile” – tha Asllani.
Aktiviste nga Organizata feministe Fourth Wave në Mitrovicë kanë protestuar para QKMF-së në Vushtrri dje duke kërkuar nga instuticionet përkatëse t’i mexhaxojnë hapësirat publike dhe trajtimin e grave brenda tyre.