Mbledhja e Bordit të ZRrE-së, Foto: Kallxo.com

Gjykata pezulloi vendimin e ZRrE-së që favorizonte bizneset e energjisë solare

Gjykata e Prishtinës e ka pezulluar vendimin e bordit të ZRrE-së për rritjen e sasisë së energjisë solare që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me çmim të paracaktuar prej 85.5 euro. Kërkesën për pezullim të këtij vendimi e kishte bërë Lëvizja Vetëvendosje.

“Me 14 janar u njoftuam nga Gjykata Themelore me Aktvendimin ku aprovohet kërkesa jonë për pezullimin e këtij vendimi deri sa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Rregullatori, më 27 nëntor të vitit 2019, kishte vendosur që të shtohen edhe 10 megavatë energji solare që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me një çmim prej 85.5 euro për megavat.

“Në atë mbledhje Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pasi që e shtoi si pikë të rendit të ditës aty për aty dhe pa arsyetim valid, mori vendim për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut”, vazhdon njoftimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, më 24 dhjetor 2019, dorëzuan padi në Gjykatën e Prishtinës ndaj vendimit të ZRrE-së për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, vendimi i ZRrE-së nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi.

“Cenon shtetin e së drejtës dhe cenon interesin publik në favor të interesave private të cilat në rastin konkret nuk shërbejnë për asgjë tjetër në sektorin energjetik e as obligimeve ndërkombetarë të Kosovës, përveçse nga faturat tona të energjisë do të paguhen Devolli e të tjerë për çmimin e energjisë”, përfundon njoftimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo skemë mbështetëse ishte hedhur në votim edhe në mbledhjen e 14 tetorit por nuk kishte kaluar, mirëpo bordi i ZRrE-së nuk e kishte miratuar vendimin për të rritur caqet e energjisë solare që do të përfitonin nga tarifat nxitëse. Në atë mbledhje, skema nuk kishte kaluar për shkak se kanë qenë dy vota për dhe dy kundër.

U.d. kryetari i bordit të ZrE-së, Arsim Janova dhe anëtari Besim Sejfijaj, kishin votuar kundër ndërsa dy anëtarët e tjerë të bordit, Izet Rushiti dhe Selman Hoti kishin votuar për.

Janova në këtë mbledhje ishte kundër, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë sikur në mbledhjen e 10 korrikut, ku kishte lexuar qëndrimet kundër të Ambasadës gjermane, INDEP-it, MZhE-së, konkluzionet e Këshillit të Ministrave etj.

Ndërsa anëtari tjetër i bordit të ZRrE-së, Besim Sejfijaj, i cili në mbledhjen e 14 tetorit ishte kundër kësaj skeme mbështetëse, ka ndërruar qëndrim dhe e ka përkrahur propozimin e Hotit në mbledhjen e 27 nëntorit.

Sejfijaj në mbledhjen e 14 tetorit kishte të njëjtin qëndrim me u.d. kryetarin e bordit, Arsim Janova. Ai kishte deklaruar votën e tij kundër duke u bazuar në qëndrimet kundër kësaj tarife nxitëse të Ambasadës gjermane, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë

“Unë nuk e miratoj asnjë fitim të tij (investitorit) në kurriz të konsumatorit. Shumica e akterëve që kanë marrë pjesë në këtë diskutim publik janë kundër, kaq. Duke u nisur edhe nga parametrat e Komunitetit të Energjisë për vitin 2020 që thotë se duhet të jetë me tender edhe kjo ma ndryshon vendimin në vendimmarrje. Pse me ngarku konsumatorin. Pjesa dërmuese janë kundër kësaj procedure. Shkresa e ministrit Lluka që apelon kundër, edhe Ambasada amerikane Ambasada gjermane, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, pas kësaj unë kam mendimin kundër”, kishte deklaruar Sejfijaj.

Përderisa vota e tij kundër në mbledhjen e 14 tetorit bëri që kjo skemë të mos kalojë në mbledhje të bordit të ZRrE-së, në mbledhjen e 27 nëntorit, vota e Sejfijajt ishte vendimtare për miratimin e kësaj skeme. Në mbledhjen e 27 nëntorit, Sejfijaj votoi për skemën e tarifave nxitëse bashkë me Selman Hotin dhe Izet Rushitin. Ndërsa e vetmja votë kundër kësaj skeme ishte e Arsim Janovës.

“Tash e kemi një propozim të ri, 85.5. Unë e kisha mbështet një propozim të tillë pa hi në obligime të tjera. Me mbështet zhvillimin e kësaj fushe pa e dëmtu konsumatorin, unë e kisha mbështet”, ka thënë Sejfijaj.

Çmimin prej 85.5 euro për megavat e ka propozuar anëtari i bordit Selman Hoti në mbledhjen e 27 nëntorit.

“Meqenëse kësaj çështje duhet me iu dhënë një epilog unë duke u bazuar në kornizën ligjore dhe udhëzimin administrative 05/2017 dhe arsyeshmërinë që e ka dhënë zyra jonë ligjore unë mendoj që të bëhet një propozim i ri, nga ai që ka dalë prej departamenteve në konsultim publik prej 90.4 sa ka qenë të jetë në 85.5 euro për megavat/orë”, ka deklaruar Hoti.

Rushiti, me propozim të të cilit edhe ka hyrë në rendin e ditë kjo pikë, është shprehur për propozimin që çmimi për megavat për orë të jetë 85.5 euro.

“Në mbledhjen e kaluar nuk ka kalu. Unë pajtohem që asnjë parametër në atë formulën që e cakton çmimin mos të ndryshohet përpos kostos për të cilën jam konsultu për shumë njerëz të kësaj fushe dhe unë pajtohem që të jetë 85.5 euro për megavat/orë”, ka thënë Rushiti.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e kompanive që do të përfitojnë nga vendimi i ZRrE-së që të rritet kapaciteti i energjisë solare që do të kenë çmime të garantuar janë tri kompani me nga 3 megavatë: “Devolli Group”, “VITA ENERGY”, “VBS” Sh.p.K.

Këto kompani ishin në mesin e aplikantëve që kanë marrë autorizime preliminare dhe që janë në listën e pritjes me kapacitete prej 3 megavatëve.

Në një reagim pas këtij vendimi kompania “Devolli Grup” ka thënë se nuk janë të vetmit ata që po përfitojnë nga ky vendim.

“Me këtë rast, ne duam të potencojmë se “Devolli Group”, si kompani vendore, hyn më mesin e aplikuesve për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese të rrymës me kapacitet të vogël prej 3 MW, kurse ka kompani të huaja të cilat kanë marrë autorizime për kapacitete prej 135MW (mbi 100 herë më të mëdhaja se kapacitetet tona), por për çudi nuk përmenden fare në këta artikuj”, thuhet në reagimin e ‘Devolli Group’, të cilin mund ta lexoni të plotë në këtë LINK.

Lokacioni ku pritet të ndërtohet parku energjetik i Devollëve është në Madanaj, zona kadastrale Kusar, komuna e Gjakovës. Në të njëjtin lokacion autorizim preliminar për ndërtim të parkut për energji solare ka marrë edhe “VITA ENERGY”. Edhe kjo kompani do të përfitojë nga vendimi i ZRrE-së për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit prej 3 megavatëve.

Përfitues tjetër është kompania “VBS” Sh.p.K me 3 megavatë. Edhe kjo kompani e ka të njëjtin lokacion për ndërtimin e parkut solar, pra në Madanaj të Gjakovës.

Bordi i ZRrE-së aktualisht ka katër anëtarë. Arsim Janova dhe Besim Sejfijaj kanë qenë të angazhuar nga LDK dhe janë zgjedhur gjatë kohës kur me qeverinë ka udhëhequr Isa Mustafa. Izet Rushiti e Selman Hoti janë emëruar në bord edhe pse nuk i kanë plotësuar kushtet për emërim, sipas vlerësimit të bërë nga kompania britanike, BDO.

Kundër këtij vendimi kishin dalë edhe Ministria e Zhvillimit EkonomikAmbasada gjermane në Kosovë, USAID dhe Zyra e BE-së në Kosovë.