Gjykata përmend ndikimin e Thaçit në Kosovë në vendimin për refuzim të lirimit nga paraburgimi

Ish- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim në Hagë pasi kërkesa e tij për tu mbrojtur në liri u refuzua nga gjyqtari Nicolas Guillou.

Guillou e refuzoi kërkesën për lirim të ish- kreut të UÇK-së me arsyetimin se ai mund të arratiset, të kryejë krime dhe të ndikojë në dëshmitarë apo ta pengojë zhvillimin normal të procedurave pasi sipas gjykatës ai rrezikon që të dënohet me burgim të përjetshëm.

Ajo çfarë e ka bërë gjyqtarin Guillou ta refuzojë lirimin e Thaçit është forca e ndikimit dhe kontrollit të tij në Kosovë.

Sipas gjykatës, lidhjet e Thaçit me Kosovën, burimet e tij, statusi i tij dhe aftësia e tij për të udhëtuar në disa vende paraqet rrezik që i njëjti t’i shmanget drejtësisë.

Gjykata thekson se ndikimi dhe autoriteti Hashim Thaçit si themelues i UÇK-së, Komandanti i Përgjithshëm, Kryeministër dhe së fundmi President i Kosovës tregon për burimet që ai mund t’i ketë e të cilat mund ta ndihmojnë atë t’i shmanget drejtësisë.

Guillou në arsyetimin për refuzimin e kërkesës së Thaçit për lirim me kusht nuk kanë lënë pa e përmendur edhe letrën e tij për shfuqizimin e Gjykatës Speciale pak ditë pasi u thirr si i dyshuar nga zyra e prokurorit të specializuar. Në arsyetim përmendet edhe zvogëlimi i dënimeve të Shpresim Ukës dhe Bekim Sylës pak ditë para se të jepte dorëheqje nga posti i Presidentit.

Përpjekjet për ta zhbërë Specialen e kanë bërë gjykatësin Guillou që besojë se Thaçi do ta pengojë zhvillimin e procedurës penale. Pengimin për zhvillimin e procedurave gjyqtari e ka arsyetuar edhe me rrezikun që Thaçi të ndikojë në dëshmitarë dhe të frikësojë dëshmitarët duke pasur parasysh se shumë shpejt prokurori i specializuar do t’i hap provat e rastit dhe shumë shpejt Thaçi do të jetë në dijeni për provat.

Për këto arsye gjykatësi vlerësoi se ekziston një gjasë që z. Thaçi të përfshihet në kryerjen e krimeve kundër atyre që perceptohen se janë kundër UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që siguruan ose mund të sigurojnë prova në çështje.

Sipas tij asnjë masë e propozuar nga avokati i tij nuk do të ishte e mjaftueshme që të parandalojë këto veprime të mundshme të Thaçit.

Përpos Thacit kërkesat për lirim me kusht iu refuzuan edhe Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të cilët po akuzuohen në të njëjtin rast.

Katër krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim që nga koha e arrestimit të tyre në Kosovë.

Ata u arrestuan pasi ndaj tyre u konfirmua akuza për krime të luftës.

Për këto akuza Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin deklaruar të pafajshëm.

Ata akuzohen se gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxiten vrasjen e tyre.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitimë i shqiptarëve të Kosovës

Vrasjet për të cilat ata po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi

Pjesë e aktakuzës 68 faqeshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushinik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushink kishin arrestuar afërsisht 30 persona ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë link.