Gjykata nxjerrë aktgjykim lidhur me paratë që prokuroria pretendon se ishin përdorur për terrorizëm

Gjykata e Prishtinës më 21.11.2024 ka vendosur t’i lirojë mjetet të cilat Prokuroria Speciale pretendon se janë përdorur për terrorizëm në çështjen penale kundër të akuzuarit Nehrudin Skenderi, i dënuar për veprën penale lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmi. Të njëjtat ishin konfiskuar me vendimin paraprak të shkallës së parë.

“Trupi gjykues mori dhe shpall publikisht këtë aktgjykim ndaj të akuzuarit Nehrudin Skenderi: Lirohen mjetet financiare të konfiskuara nga i akuzuari Nehrudin Skenderi dhe atë shuma e mjeteve monetare 20,000 euro dhe 19,000 franga zvicerane” – deklaroi kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj.

Në rast se ky aktgjykim bëhet i plotfuqishëm, gjykata ka vendosur që paratë t’i kthehen nënës së Nehrudin Skenderit, Amella Skenderit.

“Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi mjetet i kthehen palës së tretë të interesuar, Amella Skenderi” – deklaroi më tej gjyqtari Valon Kurtaj.

I akuzuari Nehrudin Skenderi po ashtu do të lirohet sa i përket shpenzimeve procedurale, për faktin se siç u deklarua gjatë shpalljes, është bërë lirimi i mjeteve të konfiskuara.

“Arsyetimi i aktgjykimit do të vazhdojë sikur edhe në aktgjykimin e përpiluar përfundimisht” – tha në fund të shpalljes.

Ky aktgjykim është marrë nga trupi gjykues në përbërje të: Valon Kurtaj, kryetar dhe anëtarët: Kujtim Krasniqi dhe Kushtrim Shyti.

Ky aktgjykim nuk është i plotfuqishëm dhe palët e pakënaqura kanë mundësi ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës së Prishtinës në afat prej 30 ditësh.

Nehrudin Skenderi i bëri me dije Gjykatës më 20.11.2024 se nuk do të jetë në shpallje pasi rruga nga Burgu i Dubravës deri në Pallat të Drejtësisë është larg.

Në seancë, i pranishëm ishte avokati mbrojtës Tomë Gashi, por jo edhe avokati tjetër mbrojtës, Sylë Hoxha, e as prokurori special, Bekim Kodraliu.

Ardian Gjuraj, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Ergim Syla, ishin katër të dënuarit në shkallë të parë për terrorizëm, të cilëve Gjykata e Prishtinës u kishte shqiptuar mbi 30 vjet burgim më 30.01.2024.

Nehrudin Skenderi ishte deklaruar se ndihet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ardian Gjuraj ishte dënuar me 9 vjet burgim. Mentor Bellaqa ishte dënuar me 6 vjet e 6 muaj. Ergim Syla ishte dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim. Kurse Nehredin Skenderi ishte shpallur fajtor për financim dhe lehtësim të terrorizmit, vepër për të cilën ishte dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim dhe gjobë 5 mijë euro.

Gjykata e Prishtinës i kishte shpallur fajtorë Ardijan Gjurajn, Ergim Sylën dhe Mentor Bellaqën se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Ardijan Gjuraj dhe Ergim Syla ishin shpallur fajtorë për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Mentor Bellaqa ishte shpallur po ashtu fajtor për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Nehrudin Skenderi ishte shpallur fajtor për veprën penale – lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit.

Krahas dënimeve me gjobë dhe me burgim, Gjykata e Prishtinës kishte vendosur që të konfiskojë përgjithmonë sendet e luajtshme si mjete që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, të cilat ishin konfiskuar me vendimin e Gjykatës.

Ky aktgjykim në shkallë të parë ishte marrë nga trupi gjykues në përbërje të Valbona Selimaj Musliut – kryetare dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Mentor Bajraktari.

Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 02.07.2024 e kishte vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore të datës 30.01.2024 për pjesën e dënimeve ndërsa për pjesën e sekuestrimit të mjeteve monetare ndaj Nehrudin Skenderit çështjen penale e ka rikthyer në rigjykim dhe vendosje.

Kolegji penal i Gjykatës së Apelit gjeti se aktgjykimi i ankimuar përkitazi me vendimin për konfiskim për Nehrudin Skenderin, ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të Kodit të Procedurës Penale, për çka aktgjykimi i ankimuar në këtë pjesë u anulua.

Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, u gjetën të bazuara pretendimet e mbrojtësve të Nehrudin Skenderit, të paraqitura në ankesat e tyre se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për konfiskimin e mjeteve monetare në banesën e Nehrudin Skenderit.

Për paratë në fjalë, përkatësisht 20,000 euro dhe 19,000 franga, nëna e Nehrudinit, Adella Skenderi, potencohet të ketë deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallë të parë se të njëjtat ia kishte dhënë si dhuratë babai i saj nga shitja e një parcele toke në Prevallë.

Vendimi në shkallë të dytë ishte marrë nga kolegji në përbërje Burim Ademi – kryetar, dhe anëtarët Afërdita Bytyqi dhe Kreshnik Radoniqi.

Raportimet lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.