Uran Ismajli - Minister i Shendetsise

Gjykata nuk e ka adresën e Uran Ismajlit, dëshmitar në gjykimin e vrasjes në "Bon Vivant"

Ish- Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli nuk është paraqitur në Gjykatën e Prishtinës ku ishte ftuar si dëshmitar në rastin e vrasjes në lokalin “Bon Vivant”.

Sipas Gjykatës, pati probleme me adresën e Ismajlit, duke bërë që ai të mos e pranojë ftesën.

Sot ka vazhduar seanca e e rigjykimit ndaj të akuzuarve Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi për vrasjen e vitit 2014.

Kryetarja e trupit gjykues Suzana Qerkini ka njoftuar se nga flekthesa të cilën sot e ka pranuar gjykata, rezulton se adresa e cila është siguruar përmes rrugëve zyrtare ka rezultuar të jetë jo e plotë.

“Dëshmitari Uran Ismajli nuk është i pranishëm dhe sot gjykata ka pranuar një fletëkthesë në bazë të së cilës konstatohet se dëshmitari nuk e ka pranaur fetsën, avokati  Naim Rudari që e ka propozuar nuk ka dhënë asnjë adresë, gjykata në rrugë zyrtare ka siguruar adresat e dëshmitarëve. Për dëshmitaren ka rezultuar se adresa është e saktë, ndërsa për deshmitarin Uran Ismajli adresa ka qenë jo e plotë “, tha gjyqtarja Qerkini.

Gjykata e Prishtinës kishte shpallur fajtor Masar Gërdovcin dhe Sherif Krasniqin për vrasjen e Rrahman Ukës, rojën e ‘Bon Vivant’-it.

Gjykata Masar Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj  burgim, ndërsa Sherif Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Vendimi i datës 22 janar 2019, ishte kundërshtuar nga Prokuroria Themelore dhe avokati Besnik Berisha mbrojtës i të akuzuarit Masar Gërdovci.

Gjykata e Apelit gjeti se janë të bazuara pretendimet e Prokurorisë lidhur me mungesën e identitetit të dispozitivit të aktakuzës dhe dispozitivit të aktgjykimit, sepse Dispozitivi i aktakuzës nënkupton gjendjen faktike si ka ndodhur rasti në fjalë.

Përkatësisht, në aktakuzën e prokurorisë ekziston konstatimi se i akuzuari Sherif Krasniqi ia ka marrë revolen nga dora të akuzuarit Masar Gërdovci duke shkrepur dy herë në drejtim të tani të ndjerit Rrahman Uka, ndërsa në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar konstatohet se i akuzuari Masar Gërdovci me dashje duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë në lokal ka vrarë tani të ndjerin Rrahman Uka duke shkrepur me revole dy-tre herë në distancë përafërsisht 1 (një) metër.

Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë për të akuzuarin Sherif Krasniqi ka ricilësuar veprën nga vepra penale e vrasjes në veprën pjesëmarrje në rrahje pa e arsyetuar fare vendimin e tillë se pse veprimet e tani të akuzuarit Krasniqi nuk bëjnë pjesë në veprën penale të vrasjes.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.