Blerim Ramadani, foto OVL UÇK Ferizaj
Gjykata në Shkup ka vendosur mos ta ekstradojë ish-ushtarin e UÇK-së, thotë MPJD
Paneli i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit kosovar, Blerim Ramadani, i arrestuar më 17.07.2024 në Maqedoni të Veriut me fletarrest të Serbisë të lëshuar rishtazi nga Interpol.
Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.
“Ramadani do të vazhdojë qëndrimin në arrest shtëpiak në Shkup deri në verdiktin final (ex officio) të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”- njofton Ministria e Jashtme.
Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se në takimin me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, e ka diskutuar edhe çështjen e arrestimit të ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani,
“Nuk ka çështje ose temë të rëndësishme që nuk e kem diskutuar. Unë jam optimist për të ardhmen, nuk është rasti i parë që na ndodhë kjo dhe besojë që aktgjykimet e Gjykatave në Maqedoni të Veriut nga e kaluara tregojnë qartë rrugën që do të ecim në të ardhmen”- tha Kurti më 05.08.2024.
Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup.
Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së, ishte arrestuar më 17.07.2024 nga Policia e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.