Gjykata në Mitrovicë anulon zgjedhjen e Bashkim Kurtit si kryeshef i Trepçës, bordi emëron Faton Ahmetin ushtrues detyre
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim që të anulohet zgjedhja e Bashkim Kurtit në pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”. Këtë vendim e ka shqyrtuar bordi i ndërmarrjes “Trepça” në mbledhjen e mbajtur më 02.08.2024. Ata kanë vendosur që ta lirojnë nga detyra Bashkim Kurtin dhe ta emërojnë Faton Ahmetin ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje.
“Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Trepça Sh.A, në takimin e mbajtur me dt. 02.08.2024, ka analizuar situatën në dhe rreth Trepçës. Ndër të tjerash, ka vendosur të respektojë Vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë C.nr.661/24 për anulimin e Vendimit dt. 11.01.2024 për përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv. Me këtë rast, ka liruar nga detyra Kryeshefin Ekzekutiv z. Bashkim Kurti, dhe njëherësh ka emëruar z. Faton Ahmetin U.D Kryeshef Ekzekutiv. Bordi Mbikëqyrësi i Ndërmarrjes Trepça Sh.A falënderon z.Bashkim Kurtin për angazhimin dhe kontributin e dhënë” – thuhet në njoftimin e ndërmarrjes “Trepça”.
Gjykata e Mitrovicës më 23.07.2024 ka vendosur që ta aprovojë kërkesën e paditësit Burim Asllani duke e anuluar vendimin e datës 11.01.2024 të bordit mbikëqyrës të Trepçës, përmes të cilit është zgjedhur Bashkim Kurti kryeshef i ndërmarrjes Trepça.
Në lidhje me vendimin e gjykatës, KALLXO.com ka marrë një përgjigje edhe nga vetë Bashkim Kurti, i cili deri më sot ka qenë kryeshef ekzekutiv.
“E drejta e secilit është me u anku. Vendimet e gjykatës duhet me i marrë si të mirëqena. Është e drejta jonë për ankesë. Kemi afat deri javën e ardhshme edhe të shohim çka dojna me bo. Ende kemi kohë, mendojmë se çka dojna me bo”- ka thënë Kurti më 02.08.2024.
Kohët e fundit ndërmarrja “Trepça” ka qenë në krizë financiare. Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë hyrë në muajin e tretë pa marrë rroga.