Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhër-arrest për Putinin

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, “në kontekstin e situatës në Ukrainë”.

Në deklaratën e gjykatës u tha se urdhër-arresti është lëshuar edhe për Maria Lvova-Belova, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se drejton dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi.

Të dy dyshohen se “kanë kryer vepra vetë, bashkërisht me persona të tjerë apo përmes personave të tjerë”, u tha në njoftimin e gjykatës

Aty po ashtu u tha se Putin ka dështuar “të ushtrojë kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen veprat, ose lejoi kryerjen e tyre”. Sipas gjykatës, vartësit ishin “nën kontrollin efektiv të tij [Putinit], në përputhje me përgjegjësinë superiore”.

“Ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, sa i përket fëmijëve ukrainas”, tha Gjykata Ndërkombëtare Penale në deklaratën e lëshuar më 17 mars.

Ende nuk ka ndonjë reagim nga Kremlini.

Pavarësisht dëshmive të shumta, Rusia vazhdimisht ka mohuar se ka kryer mizori që kur ka nisur pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, më 24 shkurt 2022.

Lvova-Belova, që është komisionare presidenciale për të drejtat e fëmijëve, besohet se ka punuar drejtpërdrejt nën urdhrin e Putinit dhe sipas zyrtarëve amerikanë, ajo ka mbikëqyrur dëbimin e “mijëra” fëmijëve ukrainas për në Rusi.

“Përpjekjet e Lvova-Belova, veçmas përfshijnë birësimin e detyruar të fëmijëve ukrainas në familjet ruse, të ashtuquajturin ‘edukim patriotik’ të fëmijëve ukrainas, ndryshimeve legjislativepër të përshpejtuar dhënien e shtetësisë ruse për fëmijët ukrainas dhe largimin e qëllimshëm të fëmijëve ukrainas nga forcat e Rusisë”, tha Departamenti amerikan i Shtetit më 15 shtator të vitit të kaluar, kur e vendosi Lvova-Belova në listën e sanksioneve amerikane.

Gjykata Ndërkombëtare Penale tha se përderisa urdhër-arrestet zakonisht konsiderohen sekrete me qëllim që të mbrojnë viktimat dhe dëshmitarët dhe të mbrojnë hetimet, fakti që krimet po vazhdojnë, e shtyn atë të publikonte lajmin pasi “urdhër-arrestet mund të kontribuojnë në parandalimin e kryerjes së mëtejme të këtyre krimeve”./REL