Gjykata ndalon shitjen e pronave kontestuese në ndërtesën më të lartë në Prishtinë

Gjykata Komerciale në Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë përmes të cilës e ndalon tjetërsimin e lokaleve të caktuara të ndërtesës shumëkatëshe në kryeqytet, të cilat ishin blerë nga dy biznesmenë.

Ashtu siç ka raportuar KALLXO.com, ishte kërkuar caktimi i masës së sigurisë ndaj “Enk Invest Group” tani “Prishtina City Centre” që t’i ndalohej shitja apo tjetërsimi i lokaleve që pronari i biznesit “Anea” i kishte blerë.

Në seancë dëgjimore, avokati Selim Nikqi, që përfaqëson biznesin “Anea”, kishte kërkuar caktimin e kësaj mase.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se i ndalohet “Prishtina City Centre” që t’i shesë, t’i tjetërsojë, ato lokale të cilat i ka blerë paraqitësi i kësaj kërkese.

Gjykata ka vendosur që ky vendim të jetë në fuqi deri në një vendim tjetër të Gjykatës.

Dy biznesmenë nga Prishtina blenë lokale në ndërtesën shumëkatëshe që po ndërtohet në qendër të Prishtinës.

Kontratat ishin nënshkruar me një kompani që udhëhiqej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndërsa investitori i ri që bleu aksionet nuk pranon t’i ofrojë lokalet e kontraktuara mirëpo pretendon se mund t’ua kthejë paratë biznesmenëve.

Të dhënat tregojnë që kontesti për këta biznesmenë është duke u endur në gjykatat e vendit për më shumë se katër vite ndërsa çështja është gjykuar me standarde të ndryshme në dy situata.

Kur Gjykata e Prishtinës gjykoi çështjen e biznesmenit Salihu atij iu dha të drejtë. Çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Një dosje e ngjashme për biznesmenin Berisha u gjykua ndryshe nga Gjykata e Prishtinës, e cila nuk i dha të drejtë këtij të fundit. Çështja është në Gjykatën e Apelit.

Hulumtimin e plotë e gjeni në këtë LINK.