Gjykata merr vendim për të dyshuarin lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë në Klinë

Të dyshuarit J.H. i është caktuar 30 ditë paraburgim nga Gjykata Themelore në Pejë lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë në Klinë më 13.11.2024.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Elzana Kastrati.

“Është mbajtë seanca dëgjimore, ka përfunduar seanca, gjyqtari e ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një  muaji”- ka thënë ajo për KALLXO.com.

Dy persona janë vrarë pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në qendër të Klinës më 13.11.2024.

Sipas informacioneve që ka marrë KALLXO.com gjatë ditës lidhur me këtë rast nga Prokuroria e Pejës është konfirmuar se kanë vendosur pika statike të policisë në fshatin ku gjenden të dy familjet me qëllim të mos përshkallëzimit të situatës më tutje.

“Prokurori i çështjes e ka vlerësuar që në fshatin përkatës ku gjinden edhe familja e viktimës dhe personit të pandehur të vendosen pika satike nga Policia e Kosovës si masa për mos tu përshkallëzuar situata”-kishte thënë Nikçi.

Për rastin u deklaruan edhe prokurorja e Prokurorisë së Pejë, Sahide Gashi dhe drejtori i Policisë Rajonale të Pejës, kolonel Shaban Shala.

Të pyetur se cilat janë motivet e këtij rasti tragjik, prokurorja dhe drejtori i Policisë thanë se ende nuk dihet se çka çoi te ky rast.

Shala deklaroi se viktimat dhe i dyshuari janë të rinj në moshë. “Ende është herët, nuk kemi informacione se cilat janë motivet” – tha ai.

Në anën tjetër, prokurorja Gashi ka deklaruar të mërkurën se janë duke mbledhur prova dhe janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes.

“Trupat e viktimave është urdhëruar që të dërgohen për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë” – kishte theksuar prokurorja.

Tutje ajo kishte shtuar se detajet e tjera do të bëhen publike ditëve në vijim duke thënë se është shumë herët për të dhënë çfarëdo mendimi apo konstatimi për motivet.