Gjykata merr vendim për Leutrim Latifin dhe dy personat tjerë të dyshuar për grabitje të armatosur

Një muaj paraburgim i është caktuar Leutrim Latifit, Ibrahim Qadrakut dhe një personi të tretë me inicialet R.F., për plagosjen dhe tentim grabitjen e cila ndodhi të hënën në mbrëmje në Prizren.

Sipas Gjykatës Themelore në Prizren, R. F., dyshohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në grabitje ndërsa dy të tjerët Latifi e Qadraku dyshohen për një mori veprash.

Në njoftim thuhet se Latifi e Qadraku dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale grabitje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje në pronësi të armëve pa leje, grabitje, sulm ndaj personave zyrtar, shkaktim i rrezikut dhe asgjësim i pasurisë.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka vlerësuar se me qëndrimin në liri të të pandehurve të njëjtit mund të fshihen apo të jepen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të dënimit të lartë që parashihet për këto vepra penale si dhe peshës së veprave penale të cilat janë të natyrës së rëndë, andaj duke marrë parasysh këto rrethana të njëjtit mund të jenë të pa arritshëm për organet e ndjekjes, me çka do të pamundësojë dukshëm zhvillimin normal të  procedurës penale.

Nga të lartcekurat, si dhe duke marrë parasysh  peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohen se janë kryer këto vepra penale dhe rrezikshmërinë e lartë shoqërore, ku dy të pandehurit L. L., dhe I. Q., janë të njohur për organet e ndjekjes dhe janë të regjistruar si kryerës dhe të dënuar për vepra të kësaj natyre për të cilat dyshohen, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, dhe kjo masë i shërben efikasitetit të procedurës penale ngase do të mundësoj zhvillimin normal të hetimeve, do të parandaloj ikjen apo fshehjen e të pandehurve e po ashtu edhe rrezikun e përsëritjes së ndonjë vepre penale.

Pamje ekskluzive: Grabitësit shtrihen përtokë nga Specialët