Gjykata merr vendim për 3 të arrestuarit për sulmin terrorist në Banjskë

Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër, iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T., B.S. dhe D.M., iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin” – thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë, gjendën në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.

Çka thotë dosja e prokurorisë për terroristët e përfshirë në sulmin në Banjskë?

Në kërkesë  thuhet se të pandehurit Vladimir Tolic dhe Blogoje Spasojevic me një grup personash ende të pa identifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, me dashje, pasi që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme.

Si pasojë, thotë Prokuroria Speciale, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor Alban Rushiti.

Ndërsa i pandehuri tjetër Dusan Maksimovic, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, me dashje iu ka ofruar ndihmë pjesëtarëve të grupit të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

Në kërkesë, prokurori Naim Abazi e thekson faktin se tre pandehurit janë shtetas edhe të Serbisë dhe nuk kanë vendbanim të konfirmuar.

“..si dhe rrethanat e përgjithshme të cilat aktualisht e karakterizojnë veriun e vendit, ekziston rreziku që po të lihen të lirë, do të arratisen nga Kosova dhe do të ikin në Serbi ose në ndonjë vend tjetër, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale. Këtë mundësi reale të arratisjes së të pandehurve duhet ndërlidhur edhe me faktin se shumica e të dyshuarve, aktualisht gjenden të lirë, për shkak të disa rrethanave” – thuhet në kërkesë.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Vladimir Tolic aktualisht është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, ndërsa dy të pandehurit e tjerë Dusan Maksimovic dhe Blagoje Spasojevic janë në ndalim në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, kishte propozuar që ndaj tre të pandehurve fillimisht të ju caktohet masa e paraburgimit në afat prej 1 muaj.