
Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy - Foto: REL/AFP.
Gjykata më e lartë e mban në fuqi dënimin e Sarkozyt për korrupsion
“Cour de Cassation” – Gjykata më e lartë e Francës – e ka mbajtur në fuqi të mërkurën, më 18.12.2024, dënimin e ish-presidentit Nicolas Sarkozy për korrupsion dhe ndikim shitblerje – ka raportuar Reuters.
Sarkozy e kishte apeluar dënimin e vitit 2021 për korrupsion dhe tregti ndikimi, pasi ishte dënuar me tre vjet burg. Dy nga vjetët u pezulluan dhe Sarkozy do të urdhërohej të mbante një byzylyk monitorimi elektronik në vend, që vitin e mbetur ta kalonte prapa grilave.
Patrice Spinosi – avokat i Sarkozy – ka theksuar se Sarkozy do ta apelojë vendimin në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Sfidimi që do ta çojë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, mjerisht mund të çojë në dënim kundër Francës.” – shkroi Sarkozy në rrjetin social X.
“Dua të deklaroj edhe një herë se jam qartësisht i pafajshëm.” – shtoi ai.
Spinosi shtoi se Sarkozy do të respektojë vendimin, i cili e detyron ta mbajë byzylykun elektronik. Por, do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, që të provojë pafajësinë e tij.
Sarkozy, politikan konservator që mbetet figurë e rëndësishme në politikën franceze edhe pas largimit nga detyra në vitin 2012, ishte shpallur fajtor nga një Gjykatë më e ulët, për përpjekje për të korruptuar një Gjyqtar dhe për shitje të ndikimit në këmbim të informacionit konfidencial, në lidhje me një hetim në financat e fushatës së tij në vitin 2007.
Gjykata zbardhi se Sarkozy komplotoi, që të siguronte një punë në Monako, për një Gjyqtar, në këmbim të informacionit të brendshëm, në lidhje me një hetim mbi pretendimet se Sarkozy kishte pranuar pagesa të paligjshme nga trashëgimtarja e “L’Oreal”, Liliane Bettencourt.
Gjyqtari Gilbert Azibert u dënua, gjithashtu, për korrupsion dhe tregti ndikimi.
Sarkozy pritet të dalë në gjyq vitin e ardhshëm, për akuzat e korrupsionit e financimit të paligjshëm, në lidhje me financimin e supozuar të Libisë për ofertën e tij të suksesshme presidenciale të vitit 2007. Sarkozy mohon të gjitha akuzat për keqpërdorime. Nëse dënohet për çështjen e Libisë, Sarkozy mund të përballet me 10 vjet burg.
Paraardhësi i Sarkozy, Jacques Chirac – koleg konservator – është i vetmi President tjetër në historinë moderne franceze, i cili është dënuar nga Gjykata. Chirac u shpall fajtor për korrupsion në vitin 2011 – katër vjet pasi u largua nga detyra.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com