Foto nga seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Hysri Peqani - Kallxo.com

Gjykata mbyll për publikun dhe mediet, deklarimet e dëshmitarëve në rastin e “Burdushit”

Në gjykimin ndaj të akuzuarit Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”, gjykata ka marrë vendim që të mos bëhet publikimi i dëshmive të dëshmitarëve deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor dhe gjithashtu ka ndaluar publikimin e fotove dhe video-inxhizimeve të dëshmitarëve për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Në këtë seancën e sotme, kanë dhënë dëshmitë e tyre 4 persona të propozuar nga Prokuroria, të cilët janë të ftuar edhe në cilësinë e të dëmtuarve.

Porse, gjykata ka marrë vendim që të mos bëhet publikimi i dëshmive të asnjë prej dëshmitarëve.

Kryetari i trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjyqtari Lutfi Shala, tha për publikun se për këtë rast do të dëshmojnë një sërë dëshmitarësh. Seanca tjetër do të mbahet më 17 shtator 2021 në ora 9:30.

Sipas Prokurorisë që nga vitit 2005 kur Hysri Peqani “Burdushi” ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro. Po ashtu “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë – pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët. Tutje sipas Prokurorisë Speciale “Burdushi” që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe ka fituar duke kryer vepra penale. Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme. Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i ka sekuestruar “Burdushit” edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Të gjitha lajmet e raportuara në Kallxo.com, për rastin e “Burdushit”, mund t’i gjeni në këtë link.